Arbëri

Elezi: Ligji i ri për Zgjedhjet i ka shtuar përgjegjësitë për KQZ-në

Valmir Elezi

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Janë numëruar votat për deputetë në 78 për qind të vendvotimeve deri në orën 16:00 të së martës, 18 shkurt, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. 

Elezi ka shtuar se është kryer edhe vlerësimi i 28 mijë e 99 pako me fletëvotime nga diaspora. Prej tyre 2 mijë e 57 pako janë refuzuar.

"KQZ është duke vazhduar me intensitet të lartë punën për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Deri më 18 shkurt në orën 16, janë numëruar rreth 78 për qind të vendvotimeve apo 1970 nga 2533 sosh”, ka thënë ai. 

Sa i përket votave me kusht, Elezi ka thënë se numri i zarfeve është 12,300, ndërsa verifikimit do t’i nënshtrohen edhe mbi 2,590 të personave me nevoja të veçanta. 

I pyetur nëse KQZ po vonohet për shpalljen e rezultateve përfundimtare, Elezi ka thënë se KQZ është duke ndjekur hapat e paraparë me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore. Më tej, ai ka përmendur se sot (18 shkurt) është vetëm dita e 9-të pas ditës së zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka kujtuar se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2014, 2017 dhe 2021, KQZ-së i janë dashur nga 18 ditë në secilin proces për të shpallur rezultatet përfundimtare dhe nga 8 apo 9 ditë, për të certifikuar rezultatet përfundimtare.

“Për të ardhur deri te shpallja e rezultatit përfundimtar të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndjekur hapat e paraparë me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgithshme dhe aktet nënligjore. Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka shtuar përgjegjësitë për KQZ-në. Një përgjegjësi e tillë është edhe numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit dhe jo në vendvotime siç ka qenë në proceset e kaluara zgjedhore. Sot jemi në ditën e 9 pas ditës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt. Sa për rikujtim, në disa nga proceset e kaluara zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, si ato të vitit 2014, 2017 dhe 2021, KQZ-së i janë nevojitur nga 18 ditë në secilin proces për të shpallur rezultatet përfundimtare dhe nga 8 apo 9 ditë, për të certifikuar rezultatet përfundimtare”, ka thënë Elezi.

Deri të martën, KQZ-ja refuzoi 2 mijë fletëvotime nga mërgata

2 muaj më parë / 18 shk 2025 19:13 Nga: Valbona Bytyqi
Valmir Elezi

Mbi 2 mijë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga vlerësimi i 28 mijë e 99 pakove të ardhura nga jashtë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se verifikimit do t'i nënshtrohen edhe rreth 40 mijë pako, derisa ka treguar edhe arsyet e refuzimit të votave të ardhura nga mërgata.

“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa postare është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë procesit të regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungonte dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë”, tha Elezi.

Verifikimit do t`i nënshtrohen edhe mbi 15 mijë vota me kusht e të personave me nevoja të veçanta.

Në Qendrat Komunale të Numërimit në rreth 19 komuna është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve e verifikimi i atyre për subjekte politike.

Zëdhënësi Elezi ka thënë se ky proces pritet të përmbyllet brenda pak ditësh, pa dhënë ndonjë afat specifik.
“Deri më 18 shkurt në orën 16 janë numëruar rreth 78 për qind e vendvotimeve apo rreth 1970 nga 2533 sosh”, tha ai.

Ai po ashtu ka thënë se janë duke punuar në publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetë dhe se ato, sipas Elezit, pritet të bëhen të ditura para se të shpallen rezultatet përfundimtare.

Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë ka nisur me disa ditë vonesë në shumicën prej komunave, derisa deri të martën është përmbyllur në 19 prej tyre.