Arbëri

KQZ-ja shpërfill rekomandimin e AIP-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do t’i përfillë rekomandimet e Agjencisë për Informim dhe Privatësi që ngjyra matrikuluese të mos përdoret në gishtërinjtë e votuesve, në ditën e zgjedhjeve.

Në vend të sprejit të padukshëm e llambës me rreze ultravjollcë, në planin operacional për zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja ka përfshirë përdorimin e ngjyrës së dukshme për shënjimin e votuesve, me qëllim të pamundësimit të votimit të shumëfishtë.

Në AIP konstatuan se kjo metodë i identifikon votuesit dhe përbën shkelje të të dhënave personale, porse në KQZ thanë se do të vazhdohet sipas planit, pasi këtë nuk ka ligj që e ndalon.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar shkresën njoftuese të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Siç mund të vërtetohet edhe në këtë shkresë, nuk ka ndonjë rregullim ligjor në Republikën e Kosovës që do të kufizonte KQZ-në në këtë vendim, i cili do të jetë i përkohshëm, pasi përpjekjet dhe synimet për të ardhmen janë që të avancojmë identifikimin e votuesve në vendvotime, duke kaluar në identifikim elektronik”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.

Por Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva, paralajmëron për mundësinë e pasojave ndaj KQZ-së në rast të pranimit të ankesave nga qytetarët për keqpërdorim të të dhënave personale.

“Ne kemi konsideruar se vendosja e ngjyrës matrikuluese është një rrethanë indirekte që çon deri te identifikimi i personit dhe në këtë mënyrë edhe shkel Ligjin e të dhënave personale... Pasojat janë pastaj kur ndodhë, kemi ankesë, ka identifikim, ka person që me të vërtetë për shkak të ngjyrës matrikuluese ka pasur pasoja dhe bën ankesë te ne, atëherë ne kemi autorizimet tona”, ka thënë Sogojeva.

Ka pasur edhe shqetësime se praktika e këtillë e shënjimit të votuesve përdoret në vende jodemokratike.

Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-së, thotë se me këtë vendim, Komisioni ka bërë hapa prapa.

“Disi më duket si kthim mbrapa, sepse përkundër faktit që KQZ-ja dhe zgjedhjet kanë avancuar dhe tashmë është larguar ajo mundësia apo pak a shumë më nuk ka frikë se dikush do të votojë dy herë, sepse ka mundësi tjera që të zbulohet dhe të evitohet ajo, megjithatë KQZ e ka marrë një vendim për mua pak çuditshëm, sepse thashë, kjo është kthim mbrapa dhe s’di a përdoret diku në Evropë”, ka thënë Daka.

Përdorimin e ngjyrës, në KQZ e arsyetuan edhe me nevojën për t’i larguar sprejet dhe llambat ultravjollcë që i kualifikuan të dëmshme për ambientin.

“Largimi i sprejit dhe llambave ultravjollcë, ka qenë një hap i domosdoshëm për KQZ-së për shkak se ato ishin të dëmshme për ambientin dhe ka pasur vështirësi të mëdha në asgjësimin e tyre pas përfundimit të procesit zgjedhor”, thuhet në  përgjigjen e KQZ-së.

KQZ-ja i hapi dy tenderë për sigurimin e materialit matrikulues për shënjimin e votuesve.

I pari dështoi në mungesë të ofertave të përgjegjshme. E, njësoj edhe i dyti pasi të tre operatorët ofertuan me mostra me ngjyrë të kaltër e jo të zezë siç kërkoi KQZ-ja.

KOHA pyeti në KQZ nëse do të hapet tender i ri apo specifikat do t’u përshtaten ofertave, por në këtë organ nuk ofruan përgjigje lidhur me këtë.