Arbëri

KQZ-ja për transportimin e votave nga diaspora: Do të ruhet integriteti i procesit

Votat nga diaspora

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është ankuar për mënyrën e transportimit të fletëvotimeve nga Zvicra për në Kosovë, duke thënë se mënyra e dërgimit me autobus paraqet rrezik serioz për integritetin e rezultateve.

Sekretari organizativ i kësaj partie në diasporë, Sokol Mehmetaj, ka thënë se transportimi me autobus në një udhëtim disaditor përbën problem të madh, jo vetëm për sigurinë e votave, por edhe për transparencë të procesit.

“Është krejtësisht i papranueshëm fakti që këto vota po transportohen në mënyrë kaq të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh. Si mund të sigurohemi që këto vota, të ruajtura në një automjet në tranzit, të mos manipulohen ose ndryshohen gjatë këtij udhëtimi të gjatë? Rreziku i mashtrimit është i lartë dhe kjo vë seriozisht në pikëpyetje besimin e publikut në procesin zgjedhor”, ka thënë ai në Facebook të hënën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me sqarim, duke thënë se dërgimi i materialeve zgjedhore do të bëhet nëpërmjet rrugëve tokësore, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, derisa shtoi se janë siguruar automjete transportuese. KQZ-ja ka thënë se sjellja e fletëvotimeve në Kosovë do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është siguruar që kjo mënyrë e transportit të jetë e sigurte, pa ndonjë problem dhe që të ruhet integriteti i procesit dhe materialeve zgjedhore. Ky lloj i transportit ka karakterin diplomatik, me elementet shoqëruese, siç janë notat verbale, çka e shton sigurinë e ngarkesave. Ky vendim për këtë mënyrë transportimi është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas këtij institucioni, procedurat e tjera për tërheqjen e dërgesave postare dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike do të zhvillohen “sipas planifikimeve të mëhershme të miratuara”.