Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.
Arianit Elshani, udhëheqës i këshillit për operacione zgjedhore tha se numri i votuesve të jetë 999 votues nëpër zona rurale, kurse për zona urbane ai vazhdon të jetë 950.
“Secili votues mund të votoj rreth 10 kandidat, prandaj nuk kemi dashtë të tejkalojmë shifrën e 1 mijë votuesve”, ka thënë Elshani.
KQZ sqaroi se votimi me kusht është i përcaktuar vetëm në një qendër të votimit në një komunë dhe nuk mund të votohet në të gjitha qendrat./ RTK
Në Tiranë e Podgoricë nuk votohet fizikisht, u regjistruan vetëm 8 votues
Procesi i votimin nuk do të organizohet në përfaqësitë diplomatike të vendosura në Podgoricë e Tiranë për shkak se numri i shtetasve të regjistruar për votim fizik në to është shumë i vogël, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar në përfaqësinë diplomatike në Podgoricë janë regjistruar vetëm 8 votues dhe po aq edhe në Tiranë.
“Të gjithë votuesit e regjistruar, KQZ do t’i informojë se të njëjtit do të mund të votojnë përmes postës”, njoftoi KQZ.
Më 29 gusht 2024, KQZ-ja ka miratuar listën prej 35 Qendrave të Votimit me gjithsej 47 vendvotime të planifikuara për votim në 19 Ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.