Arbëri

KPM me rregullore që mbron konsumatorët e operatorëve të shpërndarjes

Është miratuar rregullorja për mbrojtjen e konsumatorëve të operatorëve të shpërndarjes. Kjo rregullore, sipas kryetarit të KPM-së, ka për qëllim mbrojtjen më të madhe të përdoruesve për informim. Sipas KPM-së, për herë të parë, do të ofrohen masa mbrojtëse në dobi të qytetarëve

Komisioni i Pavarur i Medieve ka miratuar të martën rregulloren për mbrojtjen e konsumatorëve të operatorëve të shpërndarjes.

Kjo rregullore, sipas KPM-së, është bërë shkak i mungesës së informacionit për kontratat që ofrojnë operatorët e shpërndarjes.

Kryetari i këtij komisioni, Jeton Mehmeti, ka deklaruar se për herë të parë do të ofrohen masa mbrojtëse në dobi të qytetarëve.

“Rregullorja për mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve mediale, e cila ka ardhur si një rezultat i një hapësire që e kemi hasur që mungon më shumë informacion me kontratat, të cilat publiku apo qytetarët i nënshkruajnë me ofruesit e shërbimeve mediale dhe kjo rregullore ka për qëllim mbrojtjen më të madhe të përdoruesve apo informimin më të saktë të tyre, mbi shërbimet që i pranojnë në momentin që nënshkruajnë kontratë”, ka thënë Mehmeti.

E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Medieve, Niman Racaj, ka thënë se qindra komente të operatorëve shpërndarës janë adresuar në KPM, për këtë rregullore.

“KPM-ja ka analizuar të gjitha komentet e pranuara, ashtu siç e parasheh edhe ligji dhe i ka zbatuar aty ku e parasheh edhe ligji. Vetëm sa për sqarim, sot gjatë këtij dëgjimi publik do të fokusohemi te komentet që kanë ardhur gjatë periudhës së konsultimit publik”, ka deklaruar Racaj.

Ushtruesja e detyrës së drejtores në departamentin ligjor në KPM, Erolinda Zagragja, ka theksuar se ndryshimi i rregullores është bërë bazuar edhe në komentet e operatorëve shpërndarës.

“Kemi bërë edhe ndryshimin edhe në draftin tonë, bazuar edhe në komentet tuaja, por edhe në një rishikim të dytë, që e kemi bërë si zyrë, të këtij drafti. E kemi shtuar një nen komplet të ri”, ka thënë ajo.
Rregullorja për mbrojtjen e konsumatorëve të operatorëve të shpërndarjes është hartuar nga konsulentë të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian.