Në kohë të fushatës zgjedhore, Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbetet pa kuorum vendimmarrës. Dy anëtarëve u ka përfunduar mandati prej më shumë se një viti e dy të tjerëve do t’u skadojë 10 ditë pas fillimit të fushatës, duke lënë bordin me vetëm 3 anëtarë e pa kuorum për vendimmarrje. Në Asociacionin e Mediave të Pavarura Elektronike thanë se kjo situatë do të prodhojë pasoja
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), i cili është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e mediave audiovizuale, do të mbesë pa vendimmarrje në kohë fushate.
Dy prej shtatë anëtarëve të bordit të këtij institucioni u ka kaluar mandati në tetorin e vjetëm dhe Kuvendi ende nuk e ka bërë zëvendësimin e tyre.
Dy të tjerëve do t’u përfundojë mandati më 21 janar, 10 ditë pasi të fillojë fushata, duke lënë bordin pa kuorum.
“Me skadimin e mandatit të dy anëtarëve të KPM-së, respektivisht kryetarit dhe nënkryetarit më 21 janar 2025, KPM-ja rrezikon të mbetet pa kuorum vendimmarrjeje”, thuhet në një përgjigje të KPM-së.
Për zëvendësimin e dy anëtarëve që u ka përfunduar mandati, janë shpallur dy herë konkurse, por Kuvendi në seancë ka dështuar t’i emërojë.
Muajin e kaluar është bërë shpallja e tretë dhe KPM-ja i ka proceduar më 3 dhjetor aplikacionet e kandidatëve në Kuvend, për të vazhduar me procedurën e emërimit.
Valon Ramadani, kryetar i Komisionit parlamentar për media, e ka bërë përgjegjëse opozitën për pengim të themelimit të Komisionit ad-hoc për shqyrtim të kandidaturave.
“Opozita nuk i ka referuar ose ka refuzuar t’i dërgojë emrat e tyre, të drejtën e tyre për intervistim të kandidatëve”, ka thënë deputeti Ramadani.
Subjektet në pushtet kanë mjaftueshëm anëtarë në Komisionin parlamentar për ta formuar komisionin intervistues. Por, Ramadani dha një arsye, pse kjo nuk është bërë.
“Nuk është e shëndetshme as për institucionin përkatës, në këtë rast për KPM-në, ku të intervistohen kandidatët vetëm nga mazhoranca ose nga shumica”, ka thënë Ramadani.
Ligji për KPM-në thotë se brenda 21 ditësh pas përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturës, Komisioni ad-hoc, pas intervistimit ia rekomandon seancës së Kuvendit nga dy kandidatë për çdo pozitë të anëtarit.
Ramadani thotë se mundësitë janë shumë të vogla që Kuvendi ta kompletojë bordin para zgjedhjeve.
Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike, Ardita Zejnullahu, thotë se lënia e KPM-së pa bord të kompletuar do të rrezikojë shkeljen e Ligjit por edhe të rregulloreve të KPM-së.
“Me ligjin i cili është miratuar vitin e kaluar, Ligjin për zgjedhje, disa obligime shtesë i janë shtuar KPM-së e për herë të parë ndodh që ndryshimi i cili ka ndodhur është koha e shitjes, kufizimi i sasisë së kohës, të cilën mediat lejohen t’ua shesin partive politike... Lënia e KPM-së jofunksionale në këtë periudhë kruciale të fushatës zgjedhore besoj se nuk i shkon për shtati edhe funksionimit, edhe rregullimit të mirëfilltë të mediave gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Zejnullahu.
Në KPM thanë se megjithëse do të mungojë vendimmarrja, përmbajtja e mediave do të monitorohet, ankesat do të trajtohen dhe të gjitha çështjet do të marrin epilog, pasi të krijohet kuorumi me emërimin e anëtarëve të rinj.