Kompania serbe Elektrosever ka thënë se rritja prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike nuk do të vlejë në komunat veriore në Kosovë.
Siç ka raportuar Kossev, kompania që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, është shprehur se çmimi s’do t’i prekë qytetarët në veri, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji u shpreh se rritja e çmimit të energjisë vlen për furnizuesit me shërbim universal.
ZRRE-ja ka deklaruar të hënën se rritja e tarifave vlen për furnizuesin me shërbim universal, duke shtuar se Elektrosever është kompani e licencuar.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever. Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.