Arbëri

Kosovës i kërkohet të fokusohet në çështje praktike e të bashkëpunojë me aleatët

E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi dhe ndikimi i zgjedhjeve të SHBA-së në këtë proces janë diskutuar të mërkurën në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike. Ndër pjesëmarrësit ishin edhe Daniel Serwer, Sonja Biserko e Ditmir Bushati

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të fokusoheshin në zgjidhjen e problemeve në praktikë, më shumë sesa në normalizimin politik të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka thënë analisti Daniel Serwer.

Si pjesë e diskutimit të organizuar të mërkurën në Prishtinë nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike në lidhje me të ardhmen e dialogut, ai është shprehur se në Kosovë e Serbi nuk ka vullnet për një normalizim të tillë.

“Dialogu duhet të fokusohet në problemet praktike, që mund të zgjidhen në mënyrë praktike pa iu kërkuar politikanëve që të bëjnë më shumë se që ata janë të gatshëm të bëjnë”, ka thënë ai.

Duke folur për zgjedhjet në SHBA e marrëdhëniet e këtij vendi me Kosovën, Serwer ka deklaruar se rizgjedhja e presidentit Joe Biden do të ishte e mirë për stabilitetin në Ballkan. 

“Trumpi është më ndryshe. Administrata e Trumpit ka negociuar me Thaçin e Vuçiqin për ndarjen e Kosovës, në veçanti. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi po ashtu madje edhe Maqedonia mund të jetë në rrezik. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë për stabilitetin në Ballkan sesa që do të ishte Trumpi”.

“Amerikanët nuk janë mësuar që të merren me Kosovën që udhëhiqet nga një kryeministër që mendon se shteti i tij duhet të trajtohet si krejtësisht i pavarur dhe sovran. Dhe mendoj që kjo është një pjesë e problemit. Amerikanët janë mësuar me një Kosovë që është më e dëgjueshme, që është e vërtetë. Dëgjueshmëria në Kosovë ka qenë përfituese në shumë drejtime, por po iu merr pak kohë amerikanëve të kuptojnë një sjellje më të fortë dhe sovrane”, ka thënë profesori Serwer.

E, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, ka thënë se duhet të ketë ndryshim të qasjes, në veçanti ndaj palës serbe. 

Ajo ka theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së SHBA-së në procesin që është duke u zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Pa SHBA-në unë dyshoj se do të kishim marrëveshje të Brukselit as marrëveshje të Ohrit që është prapë në një lloj vakumi sepse Serbia, Beogradi, po pret ndryshimin e kontekstit ndërkombëtar që ndoshta prapë do të ishte i dobishëm për ta”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Serbia është duke vazhduar me territorializimin e çështjes serbe e duke e ngritur edhe tutje atë.

Biserko ka thënë se duhet të punohet në drejtim të integrimit të mëtutjeshëm të serbëve në Kosovë. 
“Shoqëria civile duhet të mendojë për një strategji që gradualisht t’i afrohet komunitetit serb me qëllimin që ta ndajë nga Serbia. Duhet të ketë një fond ndërkombëtar ndoshta që do të ishte një instrument për të tërhequr integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe hapjen e mundësive ekonomike me qëllimin e shkëputjes së varjes së tyre nga Beogradi”, ka thënë ajo.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Sonja Biserko ka thënë se ndan qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të duhej të bëhej edhe pa u ndërmarrë ndonjë lëvizje drejt themelimit të Asociacionit, pasi, sipas saj, do të ishte një garanci për të.

E ndryshim të qasjes së Serbisë, nuk pret ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Ai e ka këshilluar Kosovën që të investojë në besimin e aleatëve dhe t’i forcojë marrëdhëniet me ta. 

“Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin, ka besimin në këtë proces dhe nuk besoj që do të jetë i nxitur për të vazhduar tutje në këtë proces. Pastaj kemi Kosovën ne e dimë që ka kritika lidhur me marrëdhëniet e qeverisë ekzistuese me SHBA-në. E di që nuk ka alternativë ndaj dialogut, ndaj negociatave dhe nuk ka alternativë ndaj mbajtjes së marrëdhënieve të fuqishme me shtete kryesore të BE-së e SHBA-në”, ka thënë ai.

Bushati është shprehur skeptik për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe nëse do të themelohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Po shohim numra në rritje të shteteve të BE-së që janë skeptike sa i përket shtetësisë së Kosovës bile edhe në mesin e shteteve që e kanë njohur Kosovën shtet prandaj është shumë e vështirë që të japë ndonjë recetë se çka do të ishte rruga alternative, por në anën tjetër mendoj që për Kosovën është shumë e rëndësishme që të investojnë në besim me aleatët që disi është dëmtuar muajve të fundit”, ka thënë ai.

Në këtë diskutim, kritika pati edhe për Qeverinë Kurti. Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili e fajësoi kryeministrin për prishjen e raporteve me ndërkombëtarët. Sipas saj, përveç ndryshimit të të bërit politikë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në vitet e fundit ka pasur edhe kundërshtime ndaj aleatëve.

“Po, dialogu është një proces i gjatë, nuk jua sjell atë që doni. Por, nëse i kthehemi të 90-ave dhe pozitës në të cilën shqiptarët e Kosovës ishin, nuk ka qenë një pozitë e favorshme që është ndryshe krahasuar me sot. Sot kemi mjetet, kemi forumet, miqtë të cilat dështojmë t`i shfrytëzojmë sepse konsiderojmë që është më e rëndësishme që  të luftojmë, të dalim si palë më e fortë brenda këtij procesi të dialogut”, ka thënë ajo.

Diskutimi në Prishtinë është zhvilluar në ditën kur në Bruksel është organizuar takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, i pari në nëntë muajt e fundit.