Arbëri

Kosovë: Realiteti i jetës online

Kur jeta publike u mbyll për shkak të pandemisë, dritaret e komunikimit virtual u hapën si asnjëherë më parë. Komunikimi, ligjëratat, debatet mbi politikën u zhvendosën në rrjete sociale. Pandemia i shtyu edhe më tej kufijtë e shtrirjes së jetës online në shoqëritë tona. Jeta online u bë e pazëvendësueshme. Laptopët u bënë mjet pune dhe aplikacionet e ndryshme shënuan rekorde të përdorimit. Kur distanca fizike u bë kusht kryesor për parandalimin e shpërndarjes së virusit, teknologjia mundësoi vazhdimin e jetës deri diku të zakonshme. Shkollimi, puna, komunikimi madje edhe vetë gazetaria u zhvilluan në një formë tjetër.

Rutina e sociologes, Dhurata Prokshi, ndryshoi kur thuajse të gjitha aktivitetet e saj të përditshme u bënë virtuale. Prej muajit mars, trajnimet dhe kurset e gjuhës i mban online.

“Që nga fillimi i pandemisë, respektivisht nga muaji mars-prill kam filluar që aktivitetet e ngjeshura t’i zhvilloj në platformat virtuale. Fillimisht mund të them se kam qenë pothuajse laike në përdorimin e këtyre platformave, nuk kam qenë e përgatitur që të ballafaqohem me një praktikë të tillë të punës, aq më tepër të zhvillosh trajnime, ligjërata, të ofrosh mësime për të tjerët në një mënyrë ku nuk e ke prezencën fizike, nuk i sheh nga afër fytyrat e njerëzve, nuk arrin t’i lexosh se sa janë të kuptueshme të gjitha mesazhet, porositë apo mësimet që t’i i përcjellë. Komunikimi online apo virtual ka zënë një vend tejet të rëndësishëm dhe një hapësirë shumë të madhe në jetën e gjithsecilit nga ne dhe atë në nivele të ndryshme, qoftë nga ai privat, në institucional, profesional e kështu me radhë. Konsideroj që duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të bëjmë përpjekje ta zhvillojmë dhe ta mbarvajmë atë, por në anën tjetër ta plotësojmë edhe me komunikim real, fizik”, ka thënë sociologia Dhurata Prokshi.

Zhvillimi i teknologjisë, viteve të fundit, e ka ndryshuar rrjedhën dhe dinamikën e jetës së njerëzve, por fuqia e saj u bë shumë më e dukshme gjatë vitit 2020.

“Element tjetër që është shumë i rëndësishëm e që e kanë mundësuar platformat dhe komunikimi virtual është prezenca ose përfshirja e njerëzve nga vise të ndryshme në një kauzë të vetme. Për shembull, janë rastet që të ngrihen reagime për kauza të ndryshme, qoftë ato kulturore, fetare, humanitare dhe e sheh që shpejtësia e reagimit është shumë e madhe dhe mbledh prapa vetes numër tepër të madh të njerëzve, gjë e cila nuk do të mund të zhvillohej nëse do të aplikohej ndonjë komunikim tjetër e që nuk do ta kishte përkrahjen e komunikimit virtual”, ka shtuar Prokshi.

Natyra Agani, specialiste e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, thotë se me ardhjen e globalizmit dhe modernizmit, njerëzit kanë qenë të ekspozuar kundrejt teknologjisë, por jo me intensitetin e ditëve të sotme.

“Ndryshime ka, ato janë evidente sepse ka ndryshuar fillimisht mënyra sesi ne sillemi kundrejt mjedisit dhe nxitësve që vijnë prej mjedisit. Ka ndryshuar zhvillimi ynë social, do të thotë prej një interaksioni dhe bashkëpunimi dhe kontakti me njerëz, tash e kemi zhvendosur atë përmes teknologjisë online, meqenëse po promovohet distanca fizike si një komponentë për ruajtjen e shëndetit. Por, në anën tjetër po humbin gjëra të tjera të rëndësishme siç është kontakti njerëzor, sepse ne kemi nevojë për këtë interaksionin dhe për këtë komunikim, për ta përmbushur veten dhe për t’i dhënë kuptim zhvillimit tonë në kontekstin ku jemi.

Në atë periudhën e mbylljes totale ne edhe kontaktet fizike i kishim më të limituara, prandaj edhe kontaktet me më të afërmit tanë zhvilloheshin përmes aplikacioneve të ndryshme, me kamerë apo gjëra të tjera: festimi i ditëlindjeve, festime të ndryshme, ardhja e fëmijëve në jetë – të gjitha këto janë zhvilluar në kontekstin teledigjital, ashtu siç po i themi sot. Ne pamë që grupe të ndryshme organizonin mbrëmje shoqërore, rekreative, maratona online. Do të thotë, gjithçka u zhvendos në një realitet tjetër”, ka thënë specialistja e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Natyra Agani .

Jeta online dhe realiteti tjetër në shtëpi e kanë bërë më stresuese përditshmërinë. Gjatë pandemisë, nevoja për marrjen e shërbimeve të shëndetit mendor është rritur edhe në Kosovë dhe komuniteti i psikologëve është mobilizuar që këshillimet t’i ofrojë online.

“Operimi në dy nivele të ndryshme të të menduarit dhe të përjetimeve emocionale mund të shkaktojë njëfarë diskrepance në mënyrën sesi sillemi. Ti je në kompjuter dhe i kryen të gjitha punët e tua nëpërmjet internetit, por pastaj e ke një realitet tjetër në shtëpi ku ti ke marrëdhënie fizike dhe ke marrëdhënie emocionale. Pra, është një angazhim shumë më i madh i energjisë psikologjike për të arritur që ta bëjë atë ndryshim. Prandaj, edhe është shumë stresuese dhe frustruese. Sepse në kohën kur njerëzit kanë shkuar në punë, kanë shkuar atje fizikisht, kanë përfunduar punën dhe kanë ardhur në shtëpi. Tani je në shtëpi, por je edhe në punë dhe është njëfarë dualizmi të cilin po e përjetojmë dhe që sigurisht ka nivele të stresit dhe po manifestohet. Dhe ne si komunitet i psikologëve jemi duke e vërejtur që sidomos prej periudhës së karantinimit, ka një rritje shumë të madhe të nevojës për marrje të shërbimeve të shëndetit mendor, pikërisht për shkak të këtij ndryshimi të situatës dhe mungesës së kapaciteteve të njerëzve për të arritur ta menaxhojnë situatën në të cilën janë”, ka shtuar Agani.

Përdorimi i internetit në Kosovë është shumë i madh, ndërsa sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale, si “Facebook” e “Instagram” kosovarët prijnë në rajon.

Nektar Qarri, ekspert i rrjeteve sociale në “Hallakate”, thotë se përdorimi i internetit e ka ndihmuar dhe avancuar shoqërinë, por edhe zhvillimin e bizneseve.

“Në Kosovë, përdorimi i internetit është shumë i madh. Njerëzit që kanë qasje në 3G apo 4G, janë gati 100 për qind dhe përdorimi i rrjeteve sociale është më i madhi në rajon. Do të thotë kemi 1.1 milion përdorues aktivë në ‘Fcaebook’ gjatë një muaji. Në ‘Snapchat’ i kemi diku rreth 540 mijë përdorues aktivë, ‘Instagrami’ i ka diku 900 mijë përdorues aktivë. Do të thotë pothuajse të gjithë jemi në ndonjërin prej rrjeteve sociale të paktën një herë në ditë. Sesi përdoret interneti: ka raste të ndryshme, ka dikush që e përdor për produktivitet, për të mësuar diçka. Ka njerëz që e përdorin internetin për të komunikuar me familjarë, ka edhe njerëz që e keqpërdorin, por kryesisht përdorimi i internetit na ka ndihmuar edhe neve si shoqëri dhe na ka avancuar në shumë aspekte. Po ashtu, iu ka ndihmuar edhe bizneseve”, ka thënë Nektar Qarri, ekspert i rrjeteve sociale në “Hallakate”.

Gjatë periudhës së karantinës, kosovarët kanë kaluar më shumë kohë se zakonisht në internet. Kompani të ndryshme filluan t’i shesin produktet online, disa prindër hapën email për herë të parë dhe u rrit interesimi për trajnimet në fushën e menaxhimit të rrjeteve sociale. Kjo fushë tash po shihet si profesion i së ardhmes.

“Çfarë kemi vërejtur është që ne në ‘Hallakate’ mbajmë trajnime, trajnojmë të rinj dhe të reja për menaxher të rrjeteve sociale dhe zakonisht para pandemisë ata që janë regjistruar për ta ushtruar këtë profesion kanë qenë ose studentë që nuk kanë pasur karrierë, ose ata që kanë punuar në fushën e marketingut dhe kanë dashur të kalojnë në fushën digjitale. Prej pandemisë e këtej e kemi vërejtur që shumë njerëz edhe kanë mbetur pa punë, por edhe po e shohin marketingun digjital si profesion të së ardhmes dhe po kanë dëshirë ta ndërrojnë profesionin që ta kenë një të ardhme pak më të sigurt dhe më me perspektivë. Kemi pasur profesionistë të ndryshëm që kanë punuar në banka dhe njerëz nga kompani, industri të ndryshme që tash kanë shprehur dëshirë të investojnë kohë dhe energji në këtë profesion të ri”, ka deklaruar Qarri.

Imagjinoni këta qytetarë pa telefonat e tyre të mençur: pa një dritare komunikimi me personat e dashur kur vizitat familjare janë të kufizuara njësoj si orari i lëvizjes. Në vitin e pandemisë, është teknologjia ajo që po e mban ritmin e jetës. Deri diku normale.