Shqiptarët nga Kosova sot zotërojnë 35 për qind të bizneseve në Shëngjin dhe 40 për qind të apartamenteve. Kohëve të fundit, sipas të dhënave nga Dhoma e Tregtisë në Vlorë, shtetasit e Kosovës kanë nisur të investojnë edhe në Jug, përkatësisht në zonën luksoze të Lungomares, ku një metër katror ka shkuar deri në 2000 euro. Në këtë pjesë interesim ka edhe nga rusët e ukrainasit, ndërkohë që fuqia vendëse blerëse ka rënë
Çmimet e apartamenteve në Lungomare të Vlorës thuajse janë trefishuar. Nga 500-600 euro metri katror në Lungomare që ka qenë më parë, tani ka arritur në 1500 euro/m2, por edhe 2000 euro/m2 vende-vende.
Lungomare në Vlorë mbetet zona e preferuar për banim, por çmimet janë të papërballueshme për vendësit. Kështu që, rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm kërkesën për blerje nga vendësit, por pavarësisht trefishimit të çmimeve, nuk ka rënë fuqia blerëse.
Blerësit kryesorë janë kosovarët që jetojnë në Zvicët dhe Gjermani, por edhe shtetasit rusë e ukrainas. “Lënda e parë është rritur nga 30-50 për qind dhe kjo ka çuar në rritjen e kostos së ndërtimit. Pra, reflektohet direkt në çmimin e apartamenteve. Për shembull, ka qenë 500-600 euro/metri në Lungomare, tani ka arritur në 1500 euro/m2, por edhe 2000 euro/m2, po kështu në Transballkanike dhe në qytet ka rritje", u shpreh kryetari i Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshani.
Sipas tij, kjo është pasojë e rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit. Pavarësisht çmimeve të larta, nuk mungon kërkesa në treg. Janë emigrantët, kryesisht kosovarët që punojnë në Zvicër e Gjermani, por edhe rusët dhe ukrainasit ata që po blejnë shtëpi të reja në bregdetin e Vlorës.
"Zona më e kërkuar është ajo e Lungomares. Kërkesa nga vendi s'ka shumë, shumica janë nga emigrantët dhe nga shtetas të huaj. Kosovarët e Zvicrës dhe Gjermanisë, por ka edhe shtetas të huaj, ukrainasit dhe rusët, po hulumtojmë blerje banesash. Oferta në qytet është shumë e madhe, ndaj duhet të jepen më shumë leje ndërtimi për njësi banimi dhe hoteleri", thotë Breshani.
Deri më tani Shëngjini është plazhi tradicional i Kosovës dhe kur bëhet fjalë për 65-70% e pushuesve në Shëngjin janë nga Kosova.
“Jemi sot në një turne falënderimi për një sezon turistik të suksesshëm në Lezhë, në Shëngjin e Tale, për shkak të pjesëmarrjes së lartë të shqiptarëve të Kosovës. Banorët e Prishtinës kanë pasur një peshë të madhe jo vetëm me prezencën në plazh, por edhe me kontribute të tjera duke blerë edhe banesa e duke kontribuar edhe në biznese. Kemi biseduar për të gjitha pikat e përbashkëta dhe të ndërsjella që Lezha dhe Prishtina duhet të nxjerrin në pah dhe si duhet të bashkëpunojnë dhe reklamojnë tek njëra-tjetra që turistët të kuptojnë që Shqipëria, Kosova dhe gjithë trojet shqiptare janë bashkë”, ka thënë kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ditë më parë, teksa vizitoi Prishtinën.
Ndërkohë që Dhoma e Tregtisë në Lezhë ka bërë të ditur se 30% e bizneseve në plazhin e Shëngjinit janë me pronarë nga Kosova, ndërsa 40% të apartamenteve në plazhin e Shëngjinit kanë për pronarë shtetasit nga Kosova.
Por tashmë interesi i kosovarëve, kryesisht diasporës së këtij vendi është edhe Jugu i Shqipërisë.
Ndërkohë që rusët kanë të preferuar Vlorën edhe për biznes. Në Vlorë gjenden të regjistruara 23 kompani ruse, nga 34 kompani që janë në Tiranë, 9 në Durrës dhe 2 në qarkun e Beratit. Nga 68 të tilla, 63 janë me pronësi 100% të huaj, pra ruse, ndërsa vetëm 5 janë në bashkëpronësi me sipërmarrës shqiptarë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua më 3 maj të këtij viti deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkoi nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë dhe të kufizohet tregtia me Rusinë.
“Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë... ndoshta vijnë vrasës të Buças apo të Irpinit”, tha Zelensky, duke iu referuar qyteteve ukrainase, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.
Ndërkohë, një incident i rëndë me prapavijë të dyshuar spiunazhi rus është shënuar pasditen e 20 gushtit 2022 në Uzinën Ushtarake Çekin në Gramsh, Qarku i Elbasanit. Dy roja ushtarake janë sulmuar me sprej neuroparalizues nga një shtetas rus, i cili kishte hyrë brenda territorit të Uzinës dhe kishte tentuar të bënte fotografi. Rojat i kanë bërë thirrje të ndalonte, e ai ka tentuar të largohej. Në momentin kur dy rojat e kanë ndaluar, ai është kundërpërgjigjur duke përdorur sprej neoparalizues ndaj tyre. Megjithatë, dy rojat ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. E ndërsa policia ka bërë shoqërimin e 24-vjeçarit Mikhail Zorin në Komisariatin e Gramshit, janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një shtetase ruse, e cila është identifikuar si Svetlana Timofoeva, 33-vjeçare, dhe një shtetas ukrainas i identifikuar si Fedir Alpatov, 25 vjeç.
Policia ushtarake ka njoftuar policinë e shtetit, e cila ka bërë ndalimin e menjëhershëm të dy personave jo shumë larg nga Uzina. Gjithashtu kanë bllokuar edhe automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin ata.
Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy shtetasit rusë dhe një ukrainas që u arrestuan para pak javësh nën dyshimet për spiunazh në Uzinën Ushtarake në Gramsh. Ndërkohë që nga katër akuza të ngritura nga ana e prokurorisë, gjykata bëri me dije se ndaj rusëve të dyshuar për spiunazh janë referuar dy vepra penale, ai i “sigurimit të informatave” dhe “goditje për shkak të detyrës”.