Arbëri

Kosovarët mes zhgënjimit e shpresës për vizat

Qeveria e Kosovës i ka dërguar letër shteteve anëtare të Bashkimit Evropian duke kërkuar liberalizimin e vizave

Qytetarë të Kosovës kanë shprehur zhgënjimin në Bashkimin Evropian që akoma nuk e ka marrë vendimin për liberalizimin e vizave. Ata vazhdojnë të presin në radhë para ambasadave për t’u pajisur me vizë, por shpresojnë se shpejt BE-ja do ta marrë vendimin për t’ua mundësuar kosovarëve që lirshëm të lëvizin në zonën Schengen

Radhë të gjata të qytetarëve që prisnin para dyerve të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, me synimin për të siguruar një vizë, kishte edhe gjatë së premtes.

Kosovarët janë të vetmit në rajon që ende duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar në zonën Schengen.

Për dallim nga guzhma para Ambasadës zvicerane, të njëjtën ditë nuk shiheshin njerëz në radhë para Ambasadës së Gjermanisë.

Në këtë ambasadë kanë njoftuar ditë më parë se kanë kontraktuar një agjenci, e cila që nga muaji shtator do të merret me rezervimin e terminëve e dërgimin e dokumentacioneve të aplikuesve për vizën Schengen.

“Kontraktori ju ndihmon për të aplikuar për vizë Schengen dhe ia përcjell dokumentacionin tuaj Ambasadës gjermane në Prishtinë, ku edhe më tej shqyrtohen dhe merret vendim për aplikacionet. Kontraktori do të mundësojë një rezervim dukshëm më të shpejtë të terminëve në kohë më të shkurtër dhe ofron shërbimet e tij në këmbim të një takse duke filluar nga 30 euro. Përveç kësaj, kontraktori si opsion do të ofrojë edhe shërbime të tjera (p.sh. fotografim për fotografi biometrike të formatit të pasaportës, shërbim VIP në një ambient komod, etj.)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane në Prishtinë.

Terminë të lirë për vizë turistike gjermane nuk ka të paktën deri në fund të muajit shtator, derisa në agjenci çmimi për ta siguruar një të tillë shkon deri në mbi 50 euro.

Procedurë e tejzgjatur është edhe për t’u pajisur me vizë të punës.

Jetmir Xhemajli është duke mbledhur dokumentet për vizë, me qëllimin për të punuar në Gjermani. Ai thotë se pati shpresa që sivjet Kosova do ta merrte liberalizimin e vizave.

“Me liberalizimin e vizave do të ishte e lehtë, jo aq e vështirë si në ditët e sotme”, thotë ai. “Ka pasur shumë shpresa. Në ato momente kam qenë duke shikuar televizionin, edhe duke e pritë atë informatën pozitive, por është fakt se as abstenim, por as një konfirmim i kësaj çështjeje – ka mbetur 50 me 50”.

Të zhgënjyer e pa shpresë, që kosovarët në një të ardhme do të mund të lëvizin lirshëm në Evropë, janë shprehur edhe qytetarë të tjerë.

Enver Bytyçi thotë se i vjen për të qarë kur kujton se familjarët e tij nuk mund t’i shkojnë për vizitë, pasi që ai jeton në një shtet jashtë Kosovës.

“Nuk është e mundur me qenë i mbyllur një shtet në vitin 2022. Është turp i madh. Politikanët tanë janë fajtorë, duhet me luftu... Kurrë nuk bëhet kjo me këto rrena”, thotë ai.

Por, jo pa sfida është procesi i pajisjes me vizë.

I riu Lorian Kallaba thotë të ketë tentuar të marrë një të tillë në njërën nga ambasadat në Kosovë, por i është refuzuar aplikimi.

“Ka procedura të shumta. Ishalla liberalizohen sa ma shpejt... jemi zhgënjyer të gjithë, ama çka me ba”, thotë ai.

Për të shprehur pakënaqësitë ndaj mosliberalizimit të vizave, një grup qytetarësh kanë marshuar në sheshet e kryeqytetit këtë të premte. Disa me biçikleta e disa në këmbë, kanë ecur nga sheshi “Zahir Pajazit” deri para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Gazmir Raci, njëri nga organizatorët e protestës, u ka bërë thirrje institucioneve që t’i bindin shtetet që janë skeptike rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“I bëjmë thirrje edhe një herë që në Samitin e tetorit, Franca sidomos të heqë veton dhe t’u hapet perspektiva qytetarëve të Kosovës. Kosova më nuk ka rrezik për Bashkimin Evropian, sepse neve tashmë na ka ikur rinia” ka thënë ai, dhe ka kërkuar që për çështjen e vizave të organizohet edhe debat në Kuvendin e Kosovës.

E pranishme në këtë protestë ishte edhe kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, e cila tha se ekzekutivi duhet të lobojë më shumë për çështjen e vizave.

“Se Kosova i ka plotësuar kushtet, është thënë edhe nga Komisioni Evropian dhe Qeveria duhet të lobojë më shumë që Kosova t’i marrë vizat. Tash duhet punë deri në tetor dhe kjo çështje të jetë në rend të ditës në samitin e tetorit”, tha Krasniqi.

Në protestë ishte edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrija, e cila tha se është duke iu bërë padrejtësi qytetarëve të Kosovës.

“Kjo është padrejtësi që po vazhdon t’i bëhet Kosovës dhe duke pasur këtë qasje kemi ngelur pa liberalizim të vizave”, ka thënë ajo.

Kadriaj tha se ndonëse ka pasaportë diplomatike, edhe ajo është e obliguar t’u nënshtrohet procedurave për marrje të vizës, për të udhëtuar drejt shteteve të tjera.

Me gjithë momentumin e ri për vizat, të enjten në Bruksel nuk pati ndonjë veprim konkret për këtë çështje. Për liberalizimin e vizave, krerët e Kosovës ndër vite kanë uruar e kanë festuar, ani që izolimi nuk është hequr.