Fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit janë shpërndarë të shtunën nga Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave të Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Bartja e 1 milion e 752 mijë e 650 fletëvotimeve është bërë nën masa të rrepta sigurie e me përcjellje nga Policia
Prania e numrit të madh të policëve të shtunën më mëngjes tek Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë, është pjesë e parapërgatitjes për nisjen e një pune me rëndësi të madhe. Kamionët u renditën njëri pas tjetrit, pasi u ngarkuan me material zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit për zgjedhjet parlamentare të së dielës së 9 shkurtit.
Prej kësaj qendre, secili kamion u përcoll me ekipe policore, deri te qendrat komunale gjithandej Kosovës.
E prej aty, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materiali do të shpërndahet mëngjesin e hershëm të së dielës nëpër secilën qendër votimi.
“Ky material zgjedhor është dërguar në 38 qendrat komunale dhe pastaj në orët e hershme të mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen nëpër të gjitha qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00”, ka thënë Elezi.
Palestra “1 Tetori” është Qendra Komunale e Numërimit për Prishtinën. Aty stafi që përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor i pranoi kabinat e votimit dhe ngjyrën për shënjimin e votës.
Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 janë për votim në vendvotime të rregullta; 28,450 për vota me kusht; 38,650 për votim të personave me nevoja të veçanta, si dhe fletëvotime rezervë; e 21,450 janë për votim nëpër përfaqësi diplomatike.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1,970,944. Pra, të gjithë këta janë të shpërndarë në 903 qendra të votimit, ku do të zhvillohet procesi i votimit të rregullt me 2533 vendvotime”, ka thënë zëdhënësi Elezi.
Në secilën prej 38 komunave të Kosovës, do të jetë në dispozicion nga një qendër e votimit me kusht.
Zgjedhjet e së dielës janë të parat që do të mbahen, pas ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që sjell disa ndryshime në proces. Në kuadër të tyre, qytetarët do të mund të zgjedhin nga 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej 5, sa kanë mundur në zgjedhjet e kaluara. Ndërkaq, në secilën qendër votimi nuk do të ketë më mundësi për votim me kusht, por vetëm një brenda një komune.
Në vendvotime e edhe në qendra të numërimit të rezultateve, do të ketë kamera të instaluara.
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qellim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qellim që t'iu ofrohen institucioneve ligj zbatuese”, ka bërë të ditur Elezi. “Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitoroje këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të behet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj zbatuese”.
Ndërkaq, është larguar edhe heshtja zgjedhore, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore konsiderohen vetëm orët sa janë të hapura qendrat e votimit, pra nga ora 7:00 e së dielës deri në 19:00.
Një ndryshim tjetër do të bëjë që rezultatet për partitë të publikohen në kohë rekorde, meqë në vendvotime do të numërohet vetëm rezultati për partitë, kurse në qendra komunale ai për kandidatët.
“Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, ka thënë zëdhënësi Elezi.
E, e shtuna ka qenë ditë votimi në misione diplomatike të Kosovës, pasi kjo u bë e mundur me ndryshimet e reja ligjore. Në misione kanë qenë të hapura 43 vendvotime, e në Kosovë të dielën hapen 2 mijë e 533 sosh.
Prej pasluftës, zgjedhjet e sivjetme janë të parat që mbahen në afat të rregullt kushtetues, meqë të mëhershmet ishin të parakohshme.
Përpara datës së votimit, subjektet politike kanë pasur në dispozicion 30 ditë që të bëjnë fushatë parazgjedhore.
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) ka gjetur se fushata është karakterizuar me diskurs të ashpër politik e me përshkallëzim të gjuhës së urrejtjes që, sipas saj, ka dëmtuar standardet e demokracisë.
Bazuar në gjetjet e DnV-së, subjektet politike më tepër janë përqendruar te sulmet e akuzat ndaj partive tjera garuese, sesa në shpalosjen e programeve.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në KDI, organizatë që është pjesë e koalicionit, ka folur mbi incidentet e evidentuara gjatë fushatës.
“Incidentet që duhet t’i theksojmë janë incidenti i Skenderajt apo incidentet tjera, të cilat kanë ndodhur në komunat me komunitetin serb, si gjuajtja e veturave zyrtare të KQZ-së, por incidente të cilat në parametrat e demokracisë nuk kanë arritur të pengojnë zhvillimin e garës, barazinë në garë apo të drejtën për të garuar”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka theksuar se gjatë fushatës janë evidentuar edhe raste të pengimit të punës së gazetarëve në terren.
“Mediat nuk kanë arritur mjaftueshëm ta bëjnë punën e tyre dhe në disa raste janë penguar gazetarë nga mediume të caktuara për të ushtruar funksionin e tyre, për të arritur të krijojnë një qasje të barabartë, transparente dhe informative për qytetarë”, ka thënë Kryeziu.
Për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet, në DnV kanë bërë të ditur se Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar partive gjoba në vlerë mbi 650 mijë euro.
