Serbia lëshon letërnjoftime për banorët serbë të Kosovës me adresa të vendbanimeve po të Kosovës, e të cilat, edhe pas vendosjes së reciprocitetit, nuk kontestohen në pikat kufitare. Qeveria nuk ka treguar nëse do të veprojë njëjtë si me targat. E njohësit e zhvillimeve politike kanë thënë se ky mund të jetë kompromis i Qeverisë Kurti në vendimin e fundit për reciprocitetin
Mijëra qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë janë të pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga Serbia. Këto dokumente të lëshuara në Serbi, ndonëse mbajnë adresat e vendbanimeve të Kosovës, si: Graçanicë, Shtërpcë, Mitrovicë Veriore, nuk përbëjnë problem për autoritetet kufitare edhe pas vendosjes së reciprocitetit për letërnjoftime.
Njëjtë Serbia ka vepruar edhe me targa të automjeteve e të cilat Kosova i konsideron si ilegale. Në vend të akronimeve RKS, ato mbajnë PR, GL, PE... , Por, nga 1 shtatori sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, pronarët e automjeteve që mbajnë targa të tilla ilegale kanë dy muaj afat për t’u konvertuar në RKS.
Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar të premten nëse do të veprohet ngjashëm me letërnjoftimet e Serbisë, që mbajnë adresa të Kosovës, sikur edhe me targat.
Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se Qeveria duhet ta adresojë çështjen edhe në BE dhe të mos lejojë qarkullimin e këtyre dokumente ilegale.
“Problem janë dokumentet serbe apo dokumentet e serbëve të Kosovës, të cilat lëshohen në Serbi nga institucionet ilegale të Serbisë apo ato të Serbisë që kanë qenë në Kosovë. Këto janë dokumente ilegale dhe është vepër penale çdo person që kalon pikën kufitare me këto dokumente”, ka deklaruar Agolli.
Prej të enjtes Serbia ka nisur t’i njohë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës. Beogradi zyrtar mori këtë vendim pasi Qeveria e Kosovës vuri masën e reciprocitetit, që nënkuptonte mosnjohjen e letërnjoftimeve të Serbisë.
Drejtori i Institutit për Politika Sociale, Visar Ymeri, konsideron se në negociatat e muajit të fundit, për t’i dhënë zgjidhje problemit, Kosova mund ta ketë bërë si kompromis pranimin e letërnjoftimeve ilegale me të cilët Serbia i ka pajisur qytetarët serbë të Kosovës.
“Këto janë dokumentet ilegale. Atë që e thoshte presidenti i Serbisë që arritëm ta ruajmë Serbinë në Kosovë përmes kësaj marrëveshjeje, që po duket që ka qenë më shumë marrëveshje gojore sesa që ka diçka të shkruar. Mendoj që e ka pasur për këto, sepse e vetmja formë që, sipas Vuqiçit, Serbia vazhdon të jetë në Kosovë është përmes lëshimit të këtyre dokumenteve në emër të komunave që i takojnë Republikës së Kosovës. Duket që mbase kjo është një pjesë e kompromisit”, ka thënë Visar Ymeri, drejtor i Institutit për Politika Sociale, “Musine Kokalari”.
Që nga 1 shtatori më shumë se 4 mijë serbë kanë hyrë në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lënë të kuptohet se përpos me letërnjoftime valide, serbët mund të futen edhe me dokumente të tilla, për të cilat palët janë dakorduar në kuadër të procesit të dialogut.
“Referuar kërkesës suaj, ju informoj se në territorin e Republikës së Kosovës mund të hyjnë të gjithë qytetarët me dokumentacion të udhëtimit valid dhe që i plotësojnë kriteret konform ligjeve të RKS-së, si dhe marrëveshjeve aktuale në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
As kryeministri Albin Kurti nuk ka precizuar se si do të veprohet me letërnjoftimet ilegale të Serbisë, kur këtë javë është pyetur nga gazetarët.
“Dokumentet e Serbisë janë dokumente të Serbisë, unë e nuk e di se si i kanë nxjerrë krejtësisht ato dokumente, por e di një gjë e që ka qytetarë të Kosovës që e kanë dokumentin e Serbisë. Tash varet qytetari serb i Kosovës se cilin dokument vendos që ta tregojë në kufi”, ka theksuar Kurti.
Përpos targave dhe letërnjoftimeve që lëshon për serbë të Kosovës, Serbia mban ilegalisht edhe shumë struktura aktive të saj në Kosovë, të cilin vazhdon ta konsiderojë krahinë të veten.