Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë ndërlidhjen e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka shprehur optimizmin se në takimin e majit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm do të sigurohet pranimi i plotë. Por njohës të çështjeve politike thanë se në rast se Asociacioni nuk adresohet para këtij takimi, Kosova rrezikon që ta humbasë rastin për anëtarësim sivjet
Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) do të marrë epilog pozitiv në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet në mesin e muajit maj.
Pasi e mori dritën e gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Kosovës i është përmendur si kusht nga faktori ndërkombëtar veprimi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëpërmjet dërgimit të draftstatutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
Këtë kërkesë të ndërkombëtarëve, Kurti në një intervistë për “Deutch Welle” e quajti të padrejtë.
“Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin (e statutit v.j.) më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë”, ka thënë kryeministri Kurti. “Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet”.
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës takohet një herë në vit, kryesisht në muajin maj.
Artan Muhaxheri, njohësi i çështjeve politike, thotë se në rast se nuk përmbushet kërkesa e aleatëve ndërkombëtarë, çështja e anëtarësimit të Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit të paraparë për muajin e ardhshëm.
“Do të ishte një tmerr politik, social e institucional për Kosovën nëse shteti i Kosovës e humb këtë rast për një gjë që është e domosdoshme. Pra, dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe fillimi i punës në realizimin e Asociacionit janë edhe detyrime, edhe kërkesa që pa to nuk do të ketë asnjë gjë që Kosova të shkojë përpara”, ka thënë Muhaxhiri. “Nëse Kosova nuk e bën këtë që po e kërkojnë aleatët, partnerët tanë, atëherë për Kosovën do të ketë vetëm izolim, vetëm bllokim të Kosovës dhe zhdukje të çfarëdo lloj perspektive evropiane për shtetin tonë”.
E sipas profesorit të shkencave politike, Dorajet Imeri, ndërlidhja e çështjes së Asociacionit me anëtarësimin në Këshillin Evropës është e panevojshme.
“Fakti që Kosova do të mund të mos aplikojë në këtë muaj për anëtarësim tregon edhe në fakt për supozimet se si mund të rrjedhë procesi negociues Kosovë-Serbi dhe se si Bashkimi Evropian në veçanti synon që të bëjë paqe për aq kohë sa palët i sheh të pabarabarta parimisht. Prandaj, vendosja e këtij kushti si themelor për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, përveçqë është i padrejtë, i panevojshëm, është edhe joproporcional me gjithë procesin”, ka thënë Imeri.
E, kryeministri Kurti ka shprehur shpresën se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave do të merret vendimi që Kosova të bëhet vend anëtar.
“Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të Republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë”, ka thënë ai. “Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”.
Kosova synon të bëhet anëtarja e 47-të në Këshillin e Evropës. Për këtë proces u mbështet me 131 vota në seancën e 16 prillit në Asamblenë Parlamentare.
Në synimin për ta pamundësuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në maj, Serbia ka krijuar një ekip punues për lobim kundër.