Kosova ka rritur ndjeshëm eksportet me Shqipërinë si për muajin mars, ashtu dhe për tremujorin e parë të këtij viti.
Në bazë të shifrave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT), Kosova ka eksportuar në Shqipëri në marsin të këtij viti mallra me vlerë afro 12.5 milionë euro, krahasuar me 7 milionë euro sa kishte në mars të vitit 2021.
Ndërkohë që për periudhën janar-mars të këtij viti, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 28.5 milionë euro, krahasuar me 16.5 milionë euro sa kishte eksportuar për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve nga Kosova. Në krahasim me mars të vitit 2021, ka rritje 78.2 për qind. Me Turqinë ka pasur rritje prej 53.5 për qind, e me Greqinë 29.5 për qind.
Kosova mban vendin e parë edhe për tremujorin e parë të këtij viti, si vend me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë. Ka rritje prej 72.2%, e ndjekur nga Turqia me 52.7%, Italia me 12.7% dhe Kina me 9.1%.
Nga të dhënat e INSTAT, totali i importeve të Shqipërisë me Kosovën, gjatë vitit 2021, arrin në vlerën e 127 milionë euro. Më shumë se gjysmën e importeve e përbëjnë artikujt si lëndët djegëse minerale, vajrat mineral dhe produktet e tyre me rreth 45 milionë euro, gizë dhe çelik me një vlerë prej 22.4 milionë euro dhe pijet, alkoolet dhe uthullat me një vlerë prej 16 milionë euro. Të tria këto grup mallrash përbejnë 65.7% të vëllimit të importeve që Shqipëria ka importuar në Kosovë për vitin 2021. Ndërkohë që Kosova renditet në tre vendet e para ku Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë.