Ka më shumë se 10 vjet që Serbia pengon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, duke refuzuar hapjen e dy pikave kufitare me Kosovën. Prej takimit të fundit të kryenegociatorëve në Bruksel, Kosova pret nga BE-ja propozime konkrete për t’i hapur këto dy pika të përhershme dhe dy të tjera sezonale me qëllim të shkarkimit të qarkullimit gjatë verës në kufijtë me Serbinë
Dikur tre e tash shtatë policë kufitarë të Kosovës, prej 7 vjetësh bëjnë rojë ditë e natë pranë një pike kufiri me Serbinë që s’e kalon kush.
Është pika kufitare “Kapia” ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës, për hapjen e së cilës Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2011 në Bruksel. Mirëpo kjo pikë kufitare vazhdon të jetë e mbyllur, meqë Serbia refuzon ta zbatojë marrëveshjen.
Hapja e kësaj pike dhe një tjetre që gjendet në Zubin-Potok e quajtur “Izvor”, hyn në kuadër të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Në fund të 2016-s zyrtarët policorë të Kosovës u vendosën për herë të parë te kjo pikë kufitare që s’u hap kurrë.
Në anën e Kosovës u ndërtuan kabinat e u asfaltua rruga që të çon te kufiri, por nuk u punua njësoj nga pjesa e Serbisë.
Asfalti përfundon menjëherë andej kufirit, ku nisin edhe barrikadat me drurë të gjatë që qëllim kanë pengimin e kalimit.
Prej sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Policia vepron me plan operativ si në veri të Kosovës.
Në takimin e 3 korrikut të këtij viti, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë u diskutua për hapjen e këtyre dy pikave, ku propozimet konkrete palët do t’i presin nga ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak.
Por, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë se në këtë situatë ku relacionet mes Kosovës dhe Serbisë janë në ngërç, kërkesat për hapje të pikave kufitare nuk mund të materializohen.
“Është vështirë e implementueshme dhe e pamundshme, duke ditur dhe qasjen e Republikës së Serbisë karshi Kosovës dhe duke ditur që hapja e pikave kufitare në njëfarë mënyre e validon shtetësinë e Kosovës, sepse pikat kufitare hapen në mes shteteve. Duke njohur Serbinë që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, po besoj që ajo as nuk ka vullnet e as angazhim për ta për t’i hapur, qoftë një, dy apo më shumë pika kufitare”, ka thënë Hoxha.
Në këtë takim të korrikut në Bruksel, Kosova dha edhe një sugjerim.
Përveç pikëkalimeve kufitare funksionale me Serbinë, Kosova ka sugjeruar që të hapen edhe dy vendkalime të tjera, të cilat do të shërbejnë për lehtësim të qarkullimit të qytetarëve gjatë sezonit të verës. Njëri prej këtyre vendkalimeve është në Dobrasin, ku kontrolle bën vetëm policia serbe.
Zyrtarët policorë serbë nuk lejojnë që në pjesën e tyre të hyjnë vetura me targa nga Kosova, prandaj edhe qytetarë të shumtë kosovarë që duan të dalin në zonën e Bujanocit, duhet të zbresin nga vetura për ta kaluar në këmbë kufirin.
Edhe kur vetura ka targa të Serbisë, ata nuk lejojnë kalimin andej nëse shoferi ka patentën e lëshuar nga institucionet e Kosovës.
Bartjen e njerëzve e bëjnë kryesisht taksitë ilegale.
Zyrtarizimi i këtij kufiri për shkarkim të pikave të tjera me Serbinë gjatë verës vlerësohet i pamundur nga ish-zëvendësministri Hoxha, i cili thotë se pengesat prapë do t’i shkaktojë Serbia.
“Hapja e pikave kufitare nënkupton një shërbim për qytetarët dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave. Pra, në tërësinë e saj një normalitet, gjë që nuk po kërkon Serbia. Serbisë nuk po i konvenon normaliteti. Serbia është interesuar që ta mbajë në tension Kosovën”, ka thënë Hoxha.
Lidhur me veprimet për hapjen dhe funksionalizimin e këtyre pikave kufitare dhe vendkalimeve me Serbinë, prej ditësh nuk kanë ofruar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.