Arbëri

Kosova po tkurret e plaket

Bazuar në rezultatin paraprak të regjistrimit të 2024-s, Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë, nga të cilët rreth 3 mijë e 500 janë më shumë meshkuj sesa femra. Krahas tkurrjes së popullsisë, të dhënat kanë treguar edhe për mplakje të saj. Në vitin 2011, kur është realizuar regjistrimi paraprak i popullsisë, mosha mesatare ka qenë rreth 30 vjet, ndërsa në regjistrimin e 2024-s del të jetë rreth 35 vjet

Popullsia rezidente e Kosovës është tkurrur për më shumë se 150 mijë banorë brenda një dekade, ka treguar rezultati preliminar i regjistrimit të popullsisë dhe të pronave, i cili është publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave (ASK).

Bazuar në rezultatin paraprak të regjistrimit të 2024-s, Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë, nga të cilët rreth 3 mijë e 500 janë më shumë meshkuj sesa femra.

Krahas tkurrjes së popullsisë, të dhënat kanë treguar edhe për mplakje të saj. Në vitin 2011, kur është realizuar regjistrimi paraprak i popullsisë, mosha mesatare ka qenë rreth 30 vjet, ndërsa në regjistrimin e 2024-s del të jetë rreth 35 vjet.

Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të ASK-së, ka thënë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit pritet të jenë të njëjta me këto preliminare ndërsa ka treguar se banorët serbë në komunat veriore të Kosovës nuk i janë përgjigjur thirrjes për regjistrim.

“Në katër komunat veriore të Kosovës pati bojkotim në pjesë të madhe. Sidoqoftë, ka një pjesëmarrje të qytetarëve. Cilësia e të dhënave është më e lartë, në krahasim me regjistrimin e kaluar. Teknologjia na mundësoi monitorimin dhe publikimin e këtyre të dhënave”, ka thënë ai.

Ndryshe nga ky i tashmi, procesi i regjistrimit i vitit 2011 nuk e pati përfshirë fare veriun, e banuar kryesisht me serbë.

Sipas të dhënave paraprake të Agjencisë së Statistikave, nga 38 komunat sa i Kosova, në 29 është shënuar zvogëlim i numrit të popullsisë ndërsa rritje ka pasur në 9 syresh. Komuna me numër më të madh të banorëve, sipas rezultateve, është ajo Prishtinës, e cila ka 227 mijë banorë rezidentë.

Kryeqyteti pasohet nga Prizreni, i cili ka 147 mijë banorë, nga Ferizaj me 109 mijë banorë, Gjilani me 83 mijë banorë dhe nga Peja me 82 mijë banorë. Komuna me rritjen më të madhe të popullsisë, prej rreth 84 për qind, është ajo e Fushë Kosovës.

Tek i ka shpalosur të dhënat e regjistrimit mbi pronat, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv në ASK ka treguar se aktualisht të banueshme janë 560 mijë banesa teksa ka thënë se ekonomitë familjare janë në rritje me 353 mijë. 

Kryeministri Albin Kurti, ka vlerësuar se regjistrimi i popullsisë dhe i pronave i ndihmon autoritetet qendrore në vendimmarrje.

“Pa të dhëna të sakta, pa statistika, edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi të madhe. Unë jam krenar, si kryeministër, për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces. Unë personalisht, në një periudhë të shkurtër kohore, kam biseduar disa herë me ASK-në për të ofruar mbështetjen time. BE-ja, USAID-i bazohen në të dhëna të tjera statistikore për të marrë vendime të tjera. Ky angazhim e rrit integrimin në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

E koordinatorja për zhvillim në UNKT, Arnhilde Spence, ka theksuar se vëmendje duhet kushtuar zvogëlimit të varfërisë, teksa bëri thirrje që të punohet në drejtimin që përfitime t’u mundësohen atyre qytetarëve që janë më të cenueshëm. 

“Sa i përket zvogëlimit të varfërisë, me të vërtetë duhet t'i kushtojmë vëmendje ndarjes në rritje në mes atyre nga pjesët urbane dhe rurale. Ata që janë në pjesë rurale mbesin pas dore... Zhvillimi ekonomik nuk është i barabartë dhe kërkoj përpjekje shumë të madhe që të sigurohemi që mos ta lëmë askënd prapa. Dhe ata që janë më të cenueshmit të përfitojnë nga rritja ekonomike, kjo është për çka qëndrojmë në Kombet e Bashkuara dhe vazhdojmë me qeverinë në këtë drejtim”, ka theksuar Spence në konferencën e publikimit të rezultateve.

Regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill dhe ka përfunduar më 24 maj. Procesi i drejtuar nga Agjencia e Statistikave ka regjistruar edhe 600 mijë qytetarë jorezidentë e të cilët janë pjesë e diasporës. Kosovarët që jetojnë jashtë shtetit kanë mundësi që të regjistrohen deri në fund të muajit gusht. Rezultati përfundimtar i regjistrimit të popullsisë pritet të shpallet në dhjetor të këtij viti.