Arbëri

Kosova përkujton 11 shtatorin

Sulmet e 11 shtatorit

Foto: Associated Press

Në 23-vjetorin e sulmeve terroriste ndaj Kullave Binjaku në SHBA, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova qëndron fuqishëm në aleancë me miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë të mërkurën se solidarizohet me familjet e viktimave, që në mesin e të vrarëve ishin edhe tre shqiptarë.

Foto: Alban Bujari/KOHA

“Kujtimi ynë shkon për viktimat e solidariteti me familjet që i kanë humbur më të dashurit dhe gjithashtu bashkëpunimi me qeveritë demokratike anembanë botës, të prira nga Shtetet e Bashkuara. Para 23 vjetëve, 2977 qytetarë të SHBA-së, 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtonin ata, ranë heroikisht dhe shënuan një datë që sot paraqet edhe një epokë të re që prej atëherë. Terrorizmi duhet luftuar nga  të gjithë...Në mesin e atyre që u vranë ishin edhe tre bashkatdhetarë që i kujtojmë. Familjet Camaj, Dedvukaj e Gjonbalaj. Kosova qëndron pranë SHBA-së në këtë ditë përkujtimi”, ka thënë Kurti.


Abdixhiku: Sulmi i 11 shtatorit, sulm ndaj demokracisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se sulmi ndaj Kullave Binjaku tmerroi botën, por që sipas tij, nuk ishte vetëm akt dhune “por edhe sulm ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës”.

Ai ka shtuar se Kosova do të mbetet krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sulmi mbi Kullat Binjake në Neë York, në mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001 i cili mori jetën e rreth 3000 njerëzve të pafajshëm, tmerroi botën. Kjo tragjedi, nuk ishte thjesht një akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike anembanë botës. Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore; ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore. Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist”, ka thënë ai në Facebook.


Osmani: Kosova qëndron me popullin amerikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova qëndron me popullin amerikan në 23-vjetorin e sulmeve terroriste në Kullat Binjake.

Osmani ka shkruar në Facebook se tmerri dhe humbja e rreth 3000 personave në këtë sulm “kujton brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë”.

“Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!”, ka deklaruar ajo.


Haradinaj: Miqësia me SHBA-në s’mund të prishet nga askush

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të 2001-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se edhe në këtë 23 vjetor “jemi pranë miqve amerikanë”.

Haradinaj ka shkruar në Facebook të mërkurën se miqësia me SHBA-në s’mund të prishet nga askush dhe do të qëndrojë e palëkundur gjithmonë.

“11 Shtatori i vitit 2001, ndryshoi përgjithmonë kursin e globit. Në 23 vjetorin e 9/11, ashtu si çdo ditë, jemi pranë miqve amerikanë, pranë botës demokratike, duke kujtuar me respekt viktimat e asaj dite. Miqësia e përhershme me Amerikën është e pathyeshme dhe ajo nuk mund të prishet nga askush, do të qëndrojë gjithmonë e palëkundur. Në rresht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.