Të enjten u takuan kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth çështjes së dinarit.
Kryenegociatori serb Petar Petkoviq ka thënë se s’ka pasur marrëveshje. Ishte takimi i katërt për një muaj rreth kësaj çështje.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se janë pajtuar me propozimin e Lajçakut, ndërsa Serbia nuk ishte e gatshme të bënte kompromis.
“Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi pas takimit.
S’ka marrëveshje për dinarin
(E përditësuar 13:17) - Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, ka thënë kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, raporton "REL".
Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq ka thënë se Prishtina nuk tregoi "vullnet të mjaftueshëm" për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, ka theksuar ai.
Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Përfundon takimi trepalësh në Bruksel
(E përditësuar 13:00) - Ka përfunduar një trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petak Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ku u bisedua për gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë.
Palët pritet t'u adresohen mediave pas këtij takimi.
Fillon takimi trepalësh në Bruksel
(E përditësuar 12:10) - Ka filluar një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petak Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë, njofton "REL".
Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.
Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pret që të tejkalohen dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihet një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Nisin takimet bilaterale në Bruksel
(E përditësuar 09:30) - Kanë nisur takimet bilaterale për çështjen e dinarit në Bruksel të enjten.
Siç raporton “RTS”, në orën 09:00 ka nisur takimi i kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Pas tij, Lajçaku pritet të takohet me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Pritet edhe një takim i përbashkët, sidomos pas deklaratës optimiste të Lajçakut se takimin e organizon me synimin për arritjen e marrëveshjes.
Është hera e katërt brenda pak më shumë se një muaji që në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së zhvillohen bisedime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e dinarit.
Më 25 mars, Lajçak njoftoi se kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit paraqitën propozimet e tyre në Bruksel në lidhje me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe se bisedimet ndihmuan për të “qartësuar detaje të rëndësishme”.
09:04 - Bislimi e Petkoviqi takohen sot në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi përkatësisht Petar Petkoviq, do të takohen sot [e enjte] në Bruksel për të vazhduar diskutimet për të gjetur zgjidhje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se sot në Bruksel do të diskutohet për dinarin.
Bislimi e Petkoviqi u takuan në Bruksel më 25 mars, por nuk gjetën zgjidhje për dinarin.
Serbia po kërkon nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, kurse Kosova po këmbëngul se është në të drejtën e saj.
Kosova i ka dorëzuar propozimet për dinarin gjatë takimeve në kryeqytetin belg. Qeveria ka thënë se propozimet janë në linjë me Rregulloren e BQK-së.
Lajçak është shprehur optimist se në këtë takim do të ketë zgjidhje për këtë çështje.