Mungesa e një plani nacional për kontrollin e kancerit, sipas njohësve të shërbimeve të shëndetit publik, ndikon që të ketë numër të vogël të kontrolleve për kancer nga qytetarët. Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka gati draftin e këtij programi, ndonëse puna për përpilimin e tij ka filluar tash e disa vjet më parë
Edhe ky tetor, Kosovën e ka gjetur pa një program nacional për kontrollin e kancerit, ndonëse përpilimi i tij ka nisur tash e disa vjet.
Sipas njohësit të politikave të shëndetit publik, Vlorian Molliqaj, shkalla e kontrolleve për kancer që bëjnë qytetarët e Kosovës është dukshëm më e ulët sesa në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe krahasuar me ato të rajonit.
Sipas Molliqajt, numri i ulët i kontrolleve bëhet nga disa arsye, por kryesorja, mungesa e një plani nacional për kontrollin e kancerit.
“Mungesa e një programi nacional për kancer. Institucionet e Kosovës e kanë nisur një procedurë të tillë, ta hartojnë një program nacional. Është një komitet që ka qenë duke hartuar programin nacional, dhe të gjitha dokumentet rrjedhëse që janë protokollet e të tjerë. Mirëpo, sa kam informata ende nuk është aprovuar nga publiku një program nacional i tillë. Ky program kishte paraparë edhe skeningje të tjera të kancerit, si skeningun e kancerit të qafës së mitrës, jo veç atë të gjirit”, ka thënë Molliqaj.
Siç ka mësuar KOHA, në Ministrinë e Shëndetësisë janë duke punuar në një draft, por që nuk është ende gati, ndonëse për përpilimin e këtij programi, që nga 2020-a janë ndërruar së paku 3 herë kryesuesit e Bordit, si dhe përgjegjësit për hartimin e dokumentit.
Molliqaj ka treguar edhe për një praktikë, e cila mund të zbatohet në kuadër të Programit Kombëtar për t’ua përkujtuar personave në moshat më të cenueshme nga kanceri se është koha për kontroll.
“Nëse e kishim pasur një sistem të tillë, kishim mund që me pasë një sistem digjital shumë të automatizuar që në momentin që vjen koha për radhën, për skrinimin e radhës, të njëjtat gra të kontaktohen qoftë përmes telefonit, letrave me postë apo çfarëdo mënyre tjetër që është e përshtatshme në kontekstin tonë. Mirëpo, në mungesë të këtij sistemi, nuk posedojmë të dhëna si shtet, rrjedhimisht nuk kemi qysh me iu qasë atyre grave, përveç me thirrje publike”, ka thënë ai.
Shqipëria e ka një program kombëtar për kontrollin e kancerit, i cili mbulon periudhën nga 2021 deri në 2031.
Në të parashihen një sërë masash që përfshijnë investime në spitale e qendra të mjekësisë familjare, fushata sensibilizuese, madje edhe politika që synojnë uljen e duhanpirjes, përdorimit të dëmshëm të alkoolit, obesitetit dhe rritje të aktivitetit fizik.
Në raportin “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, e publikuar nga Banka Botërore të enjten, Kosova del të jetë vendi i dytë me numrin e të rriturve duhanpirës në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, shkalla e përqindjes shkon në 36.4 %, e më shumë është vetëm në Bosnjë-Hercegovinë me 38% të të rriturve që konsumojnë duhanin, ndërsa në Shqipëri është numri më i ulët, 28.9 për qind.
Në Programin Kombëtar të Shqipërisë për Kontroll të Kancerit parashihen edhe hapa institucionalë për të ndikuar në uljen e numrit të duhanpirësve, si rritja e akcizës apo heqja e brendit nga paketimet e duhanit.
KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë se në cilën fazë të draftimit gjendet Programi, kur do të jetë gati e çka përfshinë. Por deri të dielën nuk ka marrë përgjigje.