I dyshuari për therjen e katër personave në Ferizaj, ka të kaluar kriminale. Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kanë thënë se në momentin që të burgosurit e kryejnë dënimin, nuk kanë asnjë kompetencë, edhe nëse ata nuk e kanë arritur shkallën e duhur të korrektimit. Në Ministrinë e Drejtësisë nuk kanë pranuar të flasin lidhur me çështjen, e Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së, ka vlerësuar se mungesa e politikave riintegruese, pas vuajtjes së dënimit është një prej faktorëve që ndikon në rritjen e numrit të recidivistëve
Shtatëmbëdhjetë ditë pasi është liruar nga burgu, personi me inicialet F. I. dyshohet se ka therur me thikë katër persona në Ferizaj, përfshirë edhe dy vajza të mitura. Ai më herët ka qenë i dënuar për vrasje.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kanë thënë se angazhohen që nëpërmjet programeve rehabilituese, aftësimeve profesionale, arsimimit e aktiviteteve të punës të bëjnë korrektimin dhe risocializimin e të dënuarve. Por kanë shtuar se pjesëmarrja në këto programe është vullnetare.
Sipas këtij shërbimi, me të përfunduar dënimin, nuk kanë asnjë kompetencë për riintegrimin e personit të dënuar.
“Shërbimi Korrektues, me rastin e lirimit të çdo të dënuari, njofton Gjykatën kompetente dhe Policinë e Kosovës. Ndërsa për rastet e të dënuarve të liruar me kusht, bashkëpunon dhe njofton Shërbimin Sprovues. Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që obligon SHKK-në të mbajë një person të dënuar pas përfundimit të dënimit, edhe nëse ai/ajo nuk ka arritur risocializimin e plotë”, kanë thënë në Shërbimin Korrektues.
Në Ministrinë e Drejtësisë nuk kanë dashur të flasin për periudhën, pasi qytetarët ta kenë vuajtur burgimin. Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, zyrtarë të Ministrisë kanë kërkuar që pyetjet t’i adresohen Shërbimit Korrektues, i cili merret vetëm me periudhën sa një person e vuan dënimin.
E i dyshuari F. I., edhe gjatë vuajtjes së dënimit ka shfaqur sjellje jo të mira.
Sipas SHKK-së, për këtë arsye, ai edhe nuk ka përfituar nga lirimi me kusht.
Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka shtruar nevojën për programe shtetërore riintegruese për të burgosurit që e përfundojnë dënimin, ku përfshihet sigurimi i një vendi të punës dhe forma të tjera të mbështetjes.
Sipas Shalës, një mekanizëm i tillë institucional do të ndikonte në uljen e recidivizmit.
“Duke ua siguruar një vend të punës, duke ua krijuar një mjedis social, ata do të iknin nga rruga e recidivizmit dhe në këtë mënyrë edhe shoqërisë do t’i kushtonte më pak... Në qoftë se familja nuk ka mundësi t’u ndihmojë, ata e kanë shumë të vështirë, aq më parë që edhe në qoftë se kërkojnë një vend pune, si të burgosur dhe si të dënuar, gjithmonë e kanë një damkë, ndonëse nuk iu thuhet publikisht dhe me rezerva pranohen në punë”, ka thënë Shala.
Ai ka bërë të ditur se Kosova duhet të ndjekë shembullin e shumë shteteve që merren me të liruarit, nëpërmjet programeve të ndryshme.