Arbëri

Kosova pa norma obliguese vaksinimi para udhëtimeve në vende me rrezikshmëri për sëmundje infektive

Rasti i parë i infektimit me virusin e lisë së majmunëve është regjistruar të premten te një qytetar, i cili ditë më parë është kthyer nga qëndrimi katërmujor në Afrikën Perëndimore. Në IKSHPK kanë thënë se ai nuk ka qenë i vaksinuar për sëmundjen. E për qytetarët që e synojnë udhëtimin në shtetet me rrezikshmëri të lartë për sëmundje infektive, Kosova nuk ka rregullore obliguese imunizimi

Një 30-vjeçar, i cili ditë më parë është kthyer në Kosovë pas një qëndrimi katërmujor në Afrikën Perëndimore, është konfirmuar të premten si rasti i parë i infektimit me virusin e lisë së majmunit në vend.

Pacienti, i cili qysh nga e mërkura është i shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) nuk ka qenë i vaksinuar për sëmundjen që ka përhapje të madhe në shtete afrikane.

Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë se në Kosovë nuk ka një rregullore e cila i obligon qytetarët të imunizohen para udhëtimeve në vende me shkallë të lartë rrezikshmërie për sëmundje infektive.

“Nuk ka rekomandime që obligojnë që njerëzit që shkojnë në Afrikë, në mënyrë obligatore të vaksinohen kundër kësaj sëmundjeje”, ka thënë ai për KOHËN.

E sipas IKSHP-së, Ligjet dhe rregulloret ekzistuese e parashohin vaksinimin si masa parandaluese për sëmundje specifike, porse kanë theksuar që ato nuk janë obliguese.

“Ekzistojnë ligjet, si Ligji për Shëndetësi, Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Ligji për Shëndetësi Publike, Programi i Vaksinimit, Rregullorja Ndërkombëtare e Shëndetit (IHR 2015) që parashohin masat parandaluese dhe vaksinimin e personave që shkojnë në vende jashtë Kosovës për sëmundje specifike.... Bazuar në Planprogramin e vaksinimit, Kosova siguron për udhëtarët, sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar këto vaksina: hepatitit B për të rritur, tërbimit, tifos abdominale, gripit, etheve të verdha, meningjitit ACYW135, sëmundjeve të tjera ngjitëse për shtete të caktuara, bazuar në Rregulloren e trafikut ndërkombëtar”, kanë thënë në IKSHP.

Lidhur me rastin, pacientin e parë të identifikuar me li të majmunëve, infektologu Vishaj ka thënë se është në gjendje stabile shëndetësore. Ai ka treguar se cilat janë simptomat të cilat i shfaq sëmundja.

“Manifestohet në formë të ndryshimeve në lëkurë, në formë të puçrrave të cilat mbushen me ujë, të cilat me kalimin e kohës mund të bëhen edhe në formë të krustave ose dregëzave, por në qoftë se manifestimet e kësaj sëmundjeje janë prezente në mushkëri, atëherë mund të zhvillohen në forma të rënda, siç janë format pulmunare të cilat mund të çojnë edhe në vdekjen e personit”, ka bërë të ditur Vishaj.

Lia e majmunit, apo Mpox, është sëmundje virale e cila përhapet nga kafshët, kryesisht prej majmunëve e brejtësve, te njeriu. Për herë të parë është identifikuar më 1958.

Sëmundja është përhapur gjatë vitit në disa vende afrikane. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri më tani janë identifikuar gjithsej 80 raste të sëmundjes, 19 prej të cilave në vendet afrikane.