Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se vaksina për sëmundjen virale që ka mobilizuar shumë vende, ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe se në botë është vetëm vaksina kundër variola vera, efektive për mbrojtje edhe kundër lisë së majmunëve
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka filluar përgatitjen për porositjen e testeve diagnostikuese për linë e majmunëve. Në një konferencë për media, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, së bashku me zëvendësministren e Shëndetësisë kanë konfirmuar të mërkurën se në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të dyshuar me këtë infektim.
Ramadani ka thënë se rrezikshmëria e këtij virusi është e ulët, dhe ka treguar se profesionistët e Institutit janë duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar në vendet e tjera.
“Departamenti i Epidemiologjisë në IKSHPK po përcjell çdo ditë situatën epidemiologjike në Kosovë dhe botë, dhe deri tani paraqitet një rrezikshmëri tejet e ulët e sëmundjes. Ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë duke e përcjellë ecurinë e sëmundjes dhe shfaqjen eventuale të ndonjë rasti të dyshimtë. IKSHPK-ja ka përpiluar tashmë dokumentin e parë me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore, i cili është shpërndarë në institucionet shëndetësore”, ka thënë Ramadani.
Drejtori i IKSHPK-së ka bërë të ditur se vaksina për këtë sëmundje ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe se në botë është vetëm vaksina kundër variola verës, efektive për mbrojtje edhe kundër lisë së majmunëve.
E zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexhaa Bunjaku, ka thënë se edhe institucioni që përfaqëson është duke e monitoruar situatën në vende të tjera, ku tashmë janë konfirmuar rastet e para me linë e majmunëve.
“Jemi duke i studiuar masat, të cilat po i marrin shtetet ku është shfaqur ky infeksion si izolimi individual i rasteve të të prekurve dhe gjurmimi i kontakteve të tyre dhe masat e tjera të nevojshme”, është shprehur Gexha-Bunjaku.
Ajo e ka quajtur lajm të mirë faktin që lia e majmunëve nuk përhapet me shpejtësi të njëjtë sikurse COVID-19.
“Në vendin tonë deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i dyshuar i lisë së majmunëve. Në bazë të të dhënave epidemiologjike rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët dhe sëmundja zakonisht është e lehtë dhe vetëkufizuese me përhapje relativisht të vogël. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë me të gjitha strukturat e veta po monitoron situatën dhe po përgatit rekomandimet për profesionistët shëndetësorë”, ka thënë zëvendësministrja Gexha-Bunjaku.
Lia e majmunëve është sëmundje që tashmë ka prekur mbi 100 persona, dhe është konfirmuar në rreth 15 shtete jashtë Afrikës, kontinentit që konsiderohet vend që ka përhapjen më të madhe.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi nuk transmetohet lehtë, sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19. Ekspertët kanë thënë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë lëkurë me lëkurë me dikë që është i infektuar.