Arbëri

Kosova njofton QUINT-in për bllokimin e kosovarëve në Serbi

PIKËKALIMI ME KROACINË autobusët

Foto nga pikëkalimi në Batrovc /KOHA

Përditësuar 12:12 - Në një reagim të ri, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka bërë të ditur se i ka njoftuar shtetet e QUINT-it (SHBA, Britani, Gjermani, Itali, e Francë) dhe institucionet e Bashkimit Evropian e të tjera, për bllokimin e qindra kosovarëve në pikëkalimet kufitare të Serbisë me shtetet tjera.

Siç bëhet e ditur në njoftim të MPJD-së, qytetarët janë ndaluar pos pikëkalimit me Kroacinë, edhe në pikëkalimet kufitare Serbi-Hungari dhe madje edhe në Dheun e Bardhë. 

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas. Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje. Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë”, thuhet në njoftim.

MPJD-ja ka përsëritur apelin që shtetasit e Kosovës të mos kalojnë nëpër Serbi teksa e ka cilësuar veprimin e Serbisë si hakmarrës pas dështimit të përpjekjeve kundër votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës. 

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.


Ministria e Punëve të Jashtme (MPJD) u ka bërë apel qytetarëve që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, pasi qindra kosovarë kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin Serbi-Kroaci që nga orët e vona të së martës.

Qindra kosovarëve u janë marrë dokumentet dhe janë bllokuar në pikë kalimin ‘Batrovci', Serbi – Kroaci. Fatmir Haxholli nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka thënë se kjo po bëhet në hakmarrje të votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që i hapi rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Nëpërmjet një reagimi në Faceboon të mërkurën, MPJD-ja e ka konsideruar arbitrare bllokimin e kosovarëve në zonën neutrale mes Serbisë dhe Kroacisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi. MPJD dhe MPB janë duke ndermarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në reagim.

MPJD-ja ka porositur qytetarët që për përditësimet e fundit zyrtare të ndjekin faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, “Kosovo Police”.

 

VIDEO:

 

LEXO EDHE: