Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur alarmante rënien e Kosovës për 19 vende sa i përket lirisë së shtypit.
Ai ka thënë se mediat nuk duhet të kontrollohen dhe se nevojitet një kthesë në këtë drejtim.
“Media shpesh përmendet si shtylla e katërt e demokracisë dhe duhet të mbrohet, jo të kontrollohet. Në Kosovë, media ka pozitë më të mirë në krahasim me rajonin. Megjithatë, raporti i sapo publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante prej 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet kthesë!” ka shkruar Rohde në platformën X.
Në Indeksin për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij Kosova është renditur në pozitën 75 nga gjithsej 180 shtete.
Ambasada britanike për lirinë e shtypit në Kosovë: S’është koha për vetëkënaqësi
Ambasada e Britanisë në Kosovë ka thënë se ata që cenojnë lirinë e medias duhet të mbahen përgjegjës.
Përmes një deklarate, referuar Indeksit të Reporterëve pa Kufij ku Kosova renditet për 19 pozita më poshtë se vitin e kaluar, Ambasada ka thënë se nuk është koha për mburrje.
“Në Kosovë, dy dekadat e fundit kanë qenë storie suksesi, me një ngritje të qëndrueshme në Indeksin Botëror për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij. Por, me renditjen e ulët këtë vit dhe me përpjekjet për të rikthyer lirinë e medias në nivel global, tani nuk është koha për vetëkënaqësi”, ka shkruar Ambasada.
Ndërkohë, ka theksuar se shqetësimet e gazetarëve duhet të merren seriozisht dhe se në projektligjin për KPM-në të merren në konsideratë vërejtjet e shoqërisë civile e ndërkombëtarëve.
“Shqetësimet e gazetarëve duhet të merren seriozisht, ndërsa ligjvënësit duhet të sigurojnë se një legjislacion i ri, si ligji i ri për komisionin e pavarur të mediave, të marrë në konsideratë shqetësimet e shoqërisë civile dhe ekspertëve ndërkombëtare”.