Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova udhëheq me rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor për periudhën e viteve 2023-2025, duke u shfaqur si model i suksesit dhe i transformimit. Në panairin e së mërkurës, përveç prodhimeve të huaja janë shfaqur edhe ato të prodhuesve kosovarë, të cilat ishin kryesisht llamarina, vegla pune në bujqësi si dhe tavolina e karrige
Kompani nga Kosova kanë prezantuar të mërkurën produktet e tyre kryesisht nga llamarina, gypat e ujërave atmosferikë, pajisjet e thjeshta dore për bujqësi, karrige e tavolina nga druri e hekuri dhe të tjera në hapje të panairit ndërkombëtar “EXPOKOS” në Prishtinë.
Ndryshe prej atyre vendore, në këtë panair kompanitë e shteteve të huaja janë prezantuar me produkte në fushën e energjisë, ndërtimtarisë, minierave, makinerisë, mbrojtjes, sigurisë dhe teknologjisë.
Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar panairin, teksa ka thënë se ndihet krenar me bizneset e vendit që po e zhvillojnë ekonominë.
“Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në sektorët si industria e lehtë e përpunimit, bujqësia dhe ushqimi dhe sektori i teknologjisë së informacioneve dhe komunikimit siç njihet ndryshe e që përbëjnë pjesë të rëndësishme të ekonomisë së vendit dhe gjithashtu ofrojnë mundësi të reja për më shumë investime. Në vitin 2023 industria e lehtë e përpunimit të përfshirë eksportin për pajisje elektrike, plastikë, dru dhe metal ka përbërë mbi 43 për qind të eksporteve totale të Kosovës. Industria e përpunimit të drurit dhe metalit ofron mundësi premtuese për investime, falë burimeve të pastra vendore dhe përvojës së konsoliduar të industrisë”, ka thënë Kurti.
Valon Hoti, pronar i njërës prej kompanive që ka prezantuar produktet në panair, ka thënë se prodhimet në fushën e metalit ai i eksporton në shtete të ndryshme.
“Tani është një produkt i ri që e prodhojmë janë “progolat” këto sipër që janë për oborre, tarraca, bioklimatike dhe ornamente të tjera që janë shkarkues të ujit dhe produkte të tjera përcjellëse”, ka theksuar Hoti.
E Edmond Tafarshiku, arkitekt në firmën sllovene “JUB”, ka bërë të ditur se në këtë panair për herë të parë është prezantuar sistemi i izolimit termik të shtëpive.
“Mund të themi se është risi për të gjitha tregjet, tani për efiçiencën e energjisë që e shihni se deri më tash nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë, është hera e parë që po vjen në Kosovë... Mënyra e ekzekutimit është shumë e lehtë dhe është standardizuar sepse është sistem ‘modulor’, kemi lartësitë në module”, ka thënë ai.
Panairi do jetë i hapur edhe të enjten, nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Ky edicion mbulon sektorët e energjisë, elektronikës, ndërtimit, minierave, makinerisë dhe mbrojtjes e sigurisë.