Qeveria është duke konsideruar se siguria kombëtare ndodhet e cenuar nga shkelësit e huaj të të drejtave të njeriut. Prandaj, ka ndërmarrë veprime që të krijojë bazën ligjore, për të hartuar listën e zezë, të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara. Në shoqërinë civile kanë shtruar nevojën që ligji të ofrojë garanci edhe për të drejtat e njerëzve që janë subjekt i kësaj politike të ndërmarrë
Prishtinë, 7 mars – Kosova po përgatitet ta bëjë një listë të zezë, të ngjashme me të Shteteve të Bashkuara. Në të do të listohen shtetasit e huaj të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe ata të përfshirë në veprat serioze të korrupsionit që rezultojnë në abuzim të të drejtave të njeriut.
Në Ministrinë e Drejtësisë kanë arsyetuar këtë politikë të ndërmarrë.
Lulzim Beqiri, drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane në këtë ministri, thotë se tashmë shumë shtete e kanë ndjekur shembullin amerikan, e në vitet e fundit dokumente për këtë kanë nxjerrë edhe Këshilli i Evropës e Parlamenti Evropian.
“Duke e pasur parasysh edhe faktin se Kosova është një vend i ri dhe në transicion, dhe duke pasur parasysh gjithashtu se kemi një prezencë të madhe të shtetasve të huaj të cilët jetojnë në vendin tonë, veprojnë, si dhe zhvillojnë aktivitete ekonomike, e gjithë kjo neve na ka kërkuar që ta trajtojmë këtë çështje në nivelin e një koncept-dokumenti, e një analize fillestare ku edhe Kosova si vendet e tjera demokratike fillon të shënjestrojë personat e huaj dhe t’i sanksionojë ata nëse kanë bërë shkelje në vendet nga vijnë”, thotë Beqiri. “Në këtë kuadër, të vendosë edhe dispozita të veçanta që këta persona në një formë ose tjetër ta kenë të ndaluar ose hyrjen siç bënë edhe shtetet e tjera, ose zhvillimin e aktiviteteve ekonomike e politike, e të tjera në vendin tonë”.
Në koncept-dokumentin që e trajton këtë çështje, alarmohet se, në mungesë të listës, persona të këtillë mund të zhvillojnë veprimtari në Kosovë, me pasoja për shtetin.
“Me prezencën e tyre rrezikohet fillimisht siguria kombëtare. Personat nga kjo kategori, me aktivitetin e tyre në Kosovë, potencialisht mund të përfshihen në veprime të caktuara, qoftë me persona të tjerë të huaj ose në bashkëpunim me personat vendorë, që cenojnë stabilitetin e institucioneve të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Gjithashtu, politika e jashtme e Kosovës mund të ndikohet negativisht në mungesë të informacionit dhe sanksionimit të personave në kategorinë e cekur si më lart”, thuhet në koncept-dokument. “Përfundimisht, edhe ekonomia e Kosovës mund të dëmtohet, nga prezenca e këtyre personave, të cilët potencialisht mund të përfshihen në veprime të ngjashme ose të tjera, të ndaluara, edhe në Kosovë”.
Dokumenti parasheh dy lloje të sanksioneve që mund të vendosen ndaj personave të përfshirë në listën e zezë: mohimin e hyrjes në territorin e Kosovës dhe ngrirjen e aseteve që mund t’i kenë në Kosovë.
Në shoqërinë civile kërkojnë që ligji të ofrojë garanci edhe për të drejtat e njerëzve që janë subjekt i kësaj politike të ndërmarrë.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, shtron nevojën që edhe kjo politikë të jetë në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Në mënyrë që të mos merren vendime arbitrare, siç ishte rasti me 6 gylenistët, Kosova ka nevojë që ta ketë një bazë ligjore solide, e cila është në radhë të parë në pajtim me Kushtetutën, por edhe në pajtim me konventat evropiane që i promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, në mënyrë që kjo pastaj të mos keqpërdoret varësisht se kush nesër mund të jetë në pushtet”, thotë Miftaraj. “Në çdo rast kur të përgatiten listat e zeza, ose personat e huaj që mund të vijnë në Kosovë ose të zhvillojnë aktivitete këtu, është e rëndësishme të përcaktohen në mënyrë të qartë procedurat, kriteret, kompetencat e secilit institucion, si dhe e drejta e ankesës ndaj këtyre vendimeve”.
Por, në Ministrinë e Drejtësisë zotohen se kjo do të ndodhë.
“Dispozitat përkatëse të cilat do të hartohen me gjithë gjasë në projektligjin e ri, do të jenë dispozita të tilla të cilat do ta ruajnë edhe sigurinë juridike”, thotë drejtori Lulzim Beqiri.
Koncept-dokumenti identifikon Qeverinë si autoritet kompetent për ta hartuar listën e zezë.
E, për qëllim të përpilimit të saj do të merren në konsideratë dy lloje të burimeve: burimet e brendshme dhe ato të jashtme.
“Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme hyjnë në kategorinë e parë të burimeve me informatat, të cilat këto të fundit i posedojnë si rezultat i funksionit të tyre”, thuhet në koncept-dokument. “Në kuadër të burimeve të jashtme, në anën tjetër, autoriteti kompetent mund të shqyrtojë informatat të besueshme të publikuara apo të ofruara nga shtetet e tjera”.
Kjo politikë çfarë e ka ndërmarrë Qeveria, njihet si legjislacioni “Magnistky”. Gjeneza e këtij legjislacioni gjendet në Shtetet e Bashkuara. Më 2012, SHBA-ja u bë shteti i parë që vendosi sanksione të tilla. Më pas, praktikën e vendosjes së sanksioneve të shënjestruara për shkelësit e huaj të të drejtave të njeriut e ndoqën edhe shtete të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Rusia, Lituania, Letonia dhe Estonia.