Kosova ka Eurolinda e euro.
Rreth pesëmbëdhjetë biznese përgjatë magjistrales Ferizaj-Prishtinë e kanë emrin me “EURO...”. Po t’i bëhet një përllogaritje e thjeshtë rrugës prej nja tridhjetedy kilometrash, i bie se nuk mund t’i përshkoni më shumë se pak më shumë se dy kilometra pa jua rrokur syri anash ndonjë reklamë me “EURO...”
Veprimtaritë janë të llojllojshme. Prej pompave të benzinës e pjesëve të makinave deri te fabrikat e betonit apo të dyerve e dritareve. Më e reja ajo është “EURO....” që merret me tregtim të materialeve të tekstilit.
Më e vjetra, mbase është një kompani për prodhimin dhe vendosjen e konstruksioneve në Babush të Ferizajt. “EURONË” do të bënte pjesë të biznesit të ri të hapur më 1997. Atëherë, kur as Bashkimi Evropian ende nuk kishte nisur prerjen dhe përdorimin e valutës së euros.
Synimi për të përmbushur standardet evropiane dhe tregun evropian është njëra prej arsyeve pse pronarët zgjodhën emra që paraprihen nga fjala Euro. Kështu thonë edhe Maliq Vranovci e Arsim Lalinovci, bizneset e të cilëve nuk janë më larg se dyqind metra larg-njëri-tjetrit në Prelez të Muhaxherëve të Ferizajt.
Pro-evropianizmi kaq i theksuar i qytetarëve të Republikës më të re në Evropë i ka rënë në sy edhe holandezit Stefan van Dijk, i cili promovon vlerat e shtetit që pas pavarësisë shpenzoi miliona për fushatën me sloganin “Evropianët e rinj”.
Pavarësisht se të fundit në rrugëtimin drejt “Evropës” – sikurse shumëkush në Kosovë i referohet gabimisht BE-së, sikur të mos ishim as gjeografikisht pjesë kontinentit – shqiptarët e Kosovës janë populli më pro-Bashkimit Evropian.
Kjo reflektohet edhe në internet në qoftë se do ta shkruani Euro në rubrikën e kërkimit në listën e bizneseve të regjistruara, të përmbledhura në uebfaqen “biznesetehapura.com”. Menjëherë ju shfaqen qindra emra kompanish e mijëra dokumente me fjalën Euro. Aktive e të shuara.
Megjithëse të fundit në rrugëtimin për integrim në Bashkimin Evropian, shqiptarët vazhdojnë të mbesin populli që larg më shumë se të tjerët në rajon besojnë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku pesë shtete anëtare ende nuk na e njohin pavarësinë.
Një sondazh i kryer nga Gallupi dhe disa organizata të tjera dëshmoi edhe sivjet mbështetjen e madhe për Bashkimin Evropian, brenda të cilit krizat financiare e pandemia kanë ngritur edhe më shumë euroskepticizmin. Në pandemi, Evropa ktheu edhe kufijtë brenda vendeve anëtare.
Megjithatë 88 për qind e shqiptarëve përkrahin afrimin me bllokun evropian.
Në shtetin e Stefan van Dijkut, Holandë, euroskpetikët janë shumë të zëshëm. Edhe koalicionet qeveritare pro-evropiane njihen për qëndrimet e kushtet më të ashpra që ua vendosin shteteve aspiruese të Ballkanit.
Edhe atëherë kur shumica e shteteve të tjera janë për integrim më të përshpejtuar të rajonit, që sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë testoi unitetin evropian.
Në sondazhin e shkurtit, 64 për qind e të anketuarve shohin mundësi më të mëdha jashtë vendit, ndërsa 38 për qind do të donin të emigronin. Përqindja është më e larta krahasuar në rajon. Dëshira për emigrim, e kushtëzuar nga regjimi i vizave. Kosovarët, të fundit për të cilët mbesin të mbyllura dyert e shteteve të BE-së.
Krimi i organizuar, korrupsioni, ndikimi i panevojshëm politik në gjyqësor, administrata publike, kriteret ekonomike, janë vetëm disa nga fushat në të cilat ka pasur vetëm “progres të limituar”, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin e vjetëm për Kosovën, të publikuar me disa muaj vonesë.
Megjithatë, Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka përsëritur qëndrimin se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash. Mirëpo, kryeqytetet evropiane fajësojnë politikën e sistemin e drejtësisë për izolimin e “Evropianëve të rinj”.
Mendim të ngjashëm ka edhe Vranovci i “Euro Jetës”, ku shiten dyer e dritare të përdorua, të importuara nga shtetet evropiane.
9 Maji, Dita e Evropës, festohet zyrtarisht e me pushim administrate si askund tjetër.
Sipërmarrësit e njohësit vazhdimisht u kërkojnë politikanëve të përvjelin mëngët që të hiqen pengesat ekonomike e politike të shteteve evropiane për bizneset dhe qytetarët e Kosovës. Të shumta janë sfidat me të cilat kosovarët përballen çdo ditë, përderisa politikanët, pos privilegjeve si përfaqësues shteti, përdorin edhe pasaportat e tyre të Shqipërisë për të udhëtuar lirshëm nëpër Evropë.
Njazi Musliu i “Euro Metalit” sfidohet nga kompanitë e institucionet evropiane kur i kërkojnë punëtorë të certifikuar ndërkombëtarisht për punën që bëjnë. Mendon se Qeveria duhet të përqendrohet në ngritjen e kapaciteteve në shkollat e mesme e të larta profesionale.
E veçanta tjetër e lidhjes së Kosovës me Evropën janë emrat.
Në këtë stacion, autobusin e pret njëri prej tyre. Ka refuzuar të flasë para kamerës, por vjet kishte rrëfyer për gazetën se babai ia la emrin Eurolind për ta nderuar Evropën, të bashkuar si rrallëherë për çështjet e shqiptarëve, për të ndalur krimet serbe në Kosovë në pranverën e vitit 1999.
Por ne shqiptarëve, kur vjen puna tek Evropa, nuk na bën bashkë dot as alfabeti ynë. Në Shqipëri, e-ja pasohet nga –u-ja. Në Kosovë, nga –v-ja. Andej, Europë, këndej, Evropë. S’na lidh as synimi i përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që shumica e shqiptarëve i referohen si Evropë. Mbase, për shkak të historisë, këtë dallim nuk na e ka rrënjosur as gjeografia.
Nga Prelezi i Muhaxherëve, Eurolindi pa vizë, nuk mund të shkojë më larg se në Maqedoni e Shqipëri, që për shumëkënd, nuk janë Evropë.