I akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq nga tash është i kërkuar nga organet e drejtësisë së Kosovës edhe për krime lufte.
Ndaj tij dhe 19 serbëve të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Këtë e ka konfirmuarf zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
“Mund të konfirmoj se PSRK-ja i ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit dhe Gjykata Themelore ka lëshuar urdhër-arrest për personat që keni pyetur”, ka deklaruar Kozmaqi.
Ata dyshohen se në maj të vitit 1999 kanë vrarë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për të cilin edhe e ka pranuar përgjegjësinë.
Për këtë rast, Gjykata ka lëshuar letër-rreshtime ndërkombëtare për sigurimin e prezencës së Radoiçiqit dhe të pandehurve tjerë në procedurë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik - “RAD D.O.O”.
Në kohën e sulmit, Milan Radoiçiq ishtë nënkryetar i Listës Serbe.