Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Serbia që të ekstradojë kriminelët dhe të dhënat për personat e zhdukur.
Në një shkrim në Twitter, ajo ka kërkuar që Serbia ta respektojë Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.
“Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut: Kosova garanton standardet më të larta të të drejtave të njeriut, siç konfirmohet nga Bashkimi Evropian, OSBE dhe organizata të tjera. Kërkojmë nga Serbia që ta respektojë Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe t’i ekstradojë kriminelët dhe të dhënat për personat e zhdukur”, ka shkruar ajo më 10 dhjetor.
Kosova në vazhdimësi ka akuzuar Serbinë për zvarritje të proceseve për gjetjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit që kur Kosova e Serbia u dakorduan mbi Deklaratën për të zhdukurit, arritjet mungojnë. Ditë më parë, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se Serbia, me qëllim që të zvarrisë procesin e punës së komisionit për të zhdukurit, ka propozuar një draft-dokument në të cilin ka bërë përpjekje që ta përfshijë UNMIK-un në këtë çështje.
Nga lufta në Kosovë mbesin më shumë se 1600 persona të zhdukur.