Arbëri

Kosova kërkon nga ndërkombëtarët ta dënojnë gjuhën e Vuçiqit

Kërkesat dhe masat e presidentit të Serbisë kanë nxitur reagime të shumta. Tek foli mbi kërkesën e Vuçiqit që në veri të ketë kthim në “status quo antes”, kongresisti amerikan, Ritchie Torres, theksoi se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do ta dorëzojë sovranitetin e saj. E ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kërkoi që faktori ndërkombëtar ta dënojë gjuhën e ashpër të presidentit serb. Ndërkaq, njohës të sigurisë dhe të çështjeve juridike theksuan se kërkesat janë të parealizueshme, por nuk përjashtuan mundësinë e presionit ndërkombëtar për plotësim të tyre

Kanë nxitur reagime në Kosovë e përtej saj, kërkesat dhe masat që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i shpalosi të premten rreth situatës së serbëve në veri.

Si masë për veriun, ai e përmendi kthimin në “status quo ante” apo në gjendje të mëparshme, si rrugë për tejkalimin e asaj që e kualifikoi “synim të Kosovës për përndjekje të serbëve”.

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, theksoi se ky kthim i kërkuar nga Vuçiqi nuk do të ndodhë, pasi Kosova, si shtet i pavarur, është në të drejtën e saj. 

“Serbia po kërkon që Kosova ta dorëzojë sovranitetin e saj dhe të kthehet në ‘status quo antes’. Nuk do të ketë rikthim të tillë. Kosova është një shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë në përjetësi, e ndihmuar nga miku i saj më i madh: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës. Aleksandar Vuçiqi është në anën e gabuar të historisë”, ka theksuar kongresisti Torres.

E ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, theksoi se kërkesat e Vuçiqit janë tregues se ai nuk e ka ndërmend ta ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe t’i përdorë ata për politika ditore e përfitime financiare.

Ajo u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që ta dënojnë gjuhën armiqësore të Vuçiqit.

“Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, me territor të mbrojtur dhe integritet territorial të pacenueshëm, si shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, si shteti i qytetarëve të saj, sot është më e fortë se asnjëherë më parë. Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe me qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandar Vuçiqit karshi Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministrja Gërvalla.

Për situatën në veri, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se për situatën e rënduar në veri, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Për të tha se ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. 

Ai e ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës. 

“E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e Qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe. Me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues”, ka thënë Haradinaj.

E, shtatë kërkesat e Serbisë janë dëshmi se Vuçiq e ka pranuar humbjen, thonë njohës të sigurisë.
Nuredin Ibishi vlerëson se tani Vuçiqit i mungon ndikimi në Kosovë përmes grupeve ekstremiste, të cilat, sipas tij, janë shpartalluar.

“Ai po mundohet në mënyrë retrograde ta kthejë në sistemin e dikurshëm dhe përtej asaj, çka kanë ndodhur ndryshimet pozitive në Kosovë. Pra, ka munguar vetëm pika e tetë, çfarë ai paralajmëroi se do ta shpallë Kosovën si shtet të okupuar, por nuk e përmendi, sepse dikush e këshilloi të mos e bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Ibishi. “Vuçiqit i mungojnë ekstremistët që mund ta prishin rendin dhe qetësinë, por edhe ta prishin sigurinë e Kosovës me veprime nga brenda”.

Kërkesat e Vuçiqit për Kosovën përfshijnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, tërheqjen e njësive speciale nga veriu dhe institucionet paralele, formimin e Asociacionit, lirimin e të burgosurve, kryerjen e pagesave në shërbimet postare me dinarë, si dhe kthimin e policëve, gjyqtarëve e prokurorëve serbë që u dorëhoqën.

Edhe më shumë se një vit pas, Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial nuk ua ka miratuar dorëheqjet gjyqtarëve e prokurorëve serbë.

Megjithëkëtë, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Mazllum Baraliu, thotë se në aspektin juridik nuk është i mundur kthimi i tyre, pa i ndjekur procedurat e rekrutimit.

“Ligji kërkon që për t’u bërë përsëri anëtarë, të institucioneve përkatëse, duhet t’u nënshtrohen rregullave dhe instituteve të ligjeve të punës, e ai është konkursi, institucioni kryesor, të cilit duhet t’i nënshtrohen”, ka thënë Baraliu. “Edhe në gjyqësi duhet të konkurrojnë ata, përndryshe ani që Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial e kanë lënë të hapur atë, por e kanë lënë të hapur gabimisht, ata nuk mund të rikthehen pa iu nënshtruar procedurave dhe kritereve ligjore dhe kushtetuese”.

Edhe Ibishi thotë se shtatë kërkesat e Vuçiqit nuk janë të realizueshme. 

“Këtu absolutisht s’kemi të bëjmë me çështjen që ai mundet që këto pika t’i realizojë. Kjo nuk është detyrim i askujt, ajo është një fontanë dëshirash e tij dhe realiteti është që ai vetë i ka prirë që të vijnë këto pika në rend dite”, ka thënë ai.

Mirëpo, Baraliu thotë se sado që janë të paarsyeshme, mund të ketë presion ndërkombëtar ndaj Kosovës për plotësim të tyre.

“Ekziston rreziku dhe ekziston gatishmëria e perëndimit, edhe e shteteve të QUINT-it, edhe të BE-së dhe shteteve të tjera të Bashkimit Evropian dhe jashtë tij, pra të zonës perëndimore, që të përmbushen të gjitha kërkesat e arsyeshme dhe të paarsyeshme të Serbisë”, ka theksuar ai.

Me kërkesë të Beogradit zyrtar, gati dy vjet më parë në veri, deputetë, kryetarë komunash, zyrtarë administrativë, policë, gjyqtarë e prokurorë serbë që punonin në institucionet e Kosovës u dorëhoqën nga funksionet e tyre, në të cilat Vuçiqi tani ka kërkuar që të kthehen.