Arbëri

Kosova jashtë radarit të SHBA-së

Kosova, bashkë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, kanë mbetur jashtë Samitit për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara. Numri një i Shtëpisë së Bardhë nuk ka bërë një ftesë për përfshirjen e Prishtinës zyrtare në këtë nismë dhe Ambasada amerikane ka dhënë një arsye për këtë. Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan se çfarë mesazhi përbën për të kjo mospërfshirje.

Më shumë se 100 shtete janë ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, Kosova nuk do të jetë në mesin e tyre.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë ftuar në këtë ngjarje ndërkombëtare.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka dhënë një arsye për mungesën e ftesës.

“Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim të Ambasadës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të jetë nikoqir i këtij samiti virtual, i planifikuar të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan se çfarë mesazhi përbën për të kjo mungesë ftese nga numri një i Shtëpisë së Bardhë. KOHA ka adresuar pyetje për këtë, por Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer një përgjigje.

E, në Ambasadën amerikane shprehën qëndrimin se SHBA-ja do të punojë me Kosovën në forume të tjera, në ndërtim të demokracisë.

“Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet e tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, ka deklaruar Ambasada.

Në Samitin për Demokraci, pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, dhe diskutimi është paraparë të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për t’i mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.