Në vitin 2024, Kosova ka importuar thëngjill të përpunuar nga shtetet fqinje dhe vende të tjera, në një vlerë prej 6 milionë eurosh. Pas mbylljes së aktivitetit të kompanisë “Kosova Thëngjill”, e cila më parë siguronte qymyr nga KEK-u dhe e shiste për bizneset vendëse, disa kompani private kanë importuar thëngjillin
Edhe pse Kosova prodhon vetë, gjatë vitit 2024 ka importuar thëngjill të përpunuar nga vendet e tjera në vlerë prej 6 milionë eurosh, tregojnë shifrat e Doganës së Kosovës.
Kjo është bërë pas ndërprerjes së aktivitetit të kompanisë “Kosova Thëngjill”, e cila më herët siguronte qymyr nga KEK-u dhe e shiste për bizneset vendëse. Tani, disa kompani private e kanë importuar atë nga jashtë.
Një nga kompanitë private që blen thëngjill nga Serbia tash e tre vjet është “Silcapor”, e cila operon në Kaçanik.
Kjo kompani e përdor thëngjillin e përpunuar për pjekjen e blloqeve të betonit që ajo prodhon.
“Ne përdorim qymyr të terur dhe nuk mund ta blejmë në Kosovë. Më herët kemi blerë prej ‘Kosova Thëngjillit’, tash KEK-u nuk i shet kompanisë ‘Kosova Thëngjill’ qymyr dhe nuk mund ta blejmë. Tani e blejmë me çmim më të shtrenjtë në Serbi”, ka thënë Vedat Kalisi, menaxher në “Silcapor”.
“Kosova Thëngjilli” ka qenë kompania e vetme e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë, por nga qershori i vitit 2022 nuk është funksionale pasi punëtorëve nuk u është vazhduar kontrata.
E themeluar në vitin 2013 si shoqëri aksionare brenda Korporatës Energjetike të Kosovës, kjo kompani siguronte thëngjillin nga KEK-u, e përpunonte dhe më pas e shiste.
Naim Miftaraj i cili ka punuar si inxhinier në “Kosova Thëngjilli” tregon se ndërprerja e kontratës është arsyetuar me ndikimin e thëngjillit të terur në ndotjen e ambientit.
“Ne jemi marrë me dy lloj të thëngjillit: thëngjilli i terur dhe thëngjill i njomë, siç nxjerrët nga mihja. Na është thënë që qymyri i terur po shkakton ndotje por ne kemi mundur ta vazhdojmë veprimtarinë edhe me qymyr të njomë, por nuk na është vazhduar kontrata dhe kemi mbetur pa punë”, ka thënë Miftaraj.
Thëngjilli i përpunuar përdoret për pjekjen e blloqeve të betonit dhe tullave, e po ashtu edhe si lëndë djegëse në furrat e larta për përpunimin e metaleve, si dhe për ngrohjen e ambienteve industriale dhe objekteve banesore.
Kosova ka rezerva thëngjilli që tejkalojnë 10 miliardë tonë, duke u renditur si vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi të energjisë.