Arbëri

Kosova ia refuzon kërkesën për vizitë ministrit serb

Qeveria-Flamuri-Objekti-dp (2)

Foto: Driton Paçarada

Ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq, i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.

E, ky vendim vjen pasi Serbia ka refuzuar vizitat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës, është thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

“Republika e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Republikën e Kosovës të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024. Ky vendim vjen pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, qëndrim ky që është ashpërsuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së dhënë KOHËS.

Të mërkurën, 25 dhjetor, Ministria ka njoftuar se ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ishte refuzuar kërkesa për vizitë dyditore në Luginë. Edhe në janar, Serbia pati refuzuar kërkesën e Sveçlës për vizitë atje.

Së fundmi, më 19 dhjetor, ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, i ishte refuzuar kërkesa për vizitë po ashtu. Ndërsa, ka pasur edhe ministra të tjerë që janë përballur me refuzime të tilla.

Vizitat zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë janë rregulluar me një marrëveshje të arritur në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Vizitat duhet të lajmërohen paraprakisht përmes zyrtarëve ndërlidhës të shteteve, e shtetet më pas t’i autorizojnë.