Arbëri

Kosova i bashkohet Procesit Pall Mall

Procesit Pall Mall

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se Kosova i është bashkuar Procesit Pall Mall si shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të këtij procesi.

Ky proces është iniciativë e përbashkët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, për të bashkuar vendet demokratike të përkushtuara për ta adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.

“Me mbështetjen e këtij Kodi, Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Kurti në Facebook të shtunën.

Kodi i Praktikave për Shtetet u lansua zyrtarisht në takimin e dytë të Procesit Pall Mall, i mbajtur në Paris më 3–4 prill 2025.

“Ky Kod përcakton parime udhëzuese për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, duke promovuar sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike”, ka shtuar Kurti.