Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga autoritetet e Serbisë për identitetin e personit të vrarë në Serbi javën e kaluar.
MPJD-ja ka njoftuar se nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi, e po ashtu është kërkuar lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Kosovë dhe dorëzimin e tij te familjarët.
Më 19 korrik, nga autoritetet serbe është njoftuar se është vrarë personi i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi. Në komunikatë nuk ishte përmendur identiteti, por autoritetet e Serbisë kishin thënë po të premten se ishin në kërkim intensiv të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, i cili dyshohej për vrasjen e policit.
MPJD-ja ka thënë se ka dërguar notë sqaruese te ambasadorët e vendeve të QUINT-it, nëpërmjet së cilës është theksuar se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë nuk është marrë asnjë përgjigje.
“Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje. MPJD ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KOHËN.