Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se Kosova është e gatshme ta ndihmojë Bosnjë dhe Hercegovinën në çdo mënyrë që munden pas përmbytjeve shkatërruese.
Në një postim në “X” të premten, Osmani ka shkruar se populli i Kosovës qëndron krah atij të Bosnjë në këto kohëra të vështira.
“Zemrat tona janë me familjet në Bosnje dhe Hercegovinë që po vajtojnë humbjen e njerëzve të dashur pas përmbytjeve shkatërruese. Populli i Republikës së Kosovës qëndron krah për krah me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në këto kohë të vështira dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme”, ka shkruar Osmani.
Ndërkohë Kurti u ka shprehur ngushëllimeve familjeve të prekura nga përmbytje.
“Në emër të popullit të Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve dhe komuniteteve të prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne jemi me ju në këto kohë të vështira dhe jemi të gatshëm t'ju ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi. Republika e Kosovës është me ju”, ka shkruar ai në “X”.
Të paktën 19 persona kanë vdekur pasi qytete e fshatra të shumta të Bosnjë-Hercegovinës janë përmbytur, si pasojë e stuhisë së fuqishme me shi dhe erëra që goditi pjesën qendrore dhe atë jugore të vendit, gjatë natës të enjten.