Arbëri

Kosova e dyta në rajon për numrin e fëmijëve të pashoqëruar që kërkojnë azil

Foto: Reuters

Shqipëria mban vendin e parë, ndërsa Kosova të dytin nga vendet e rajonit për numrin e azilkërkuesve të identifikuar si fëmijë të pashoqëruar. Të dhënat e Eurostatit bëjnë të ditur se në vitin 2021 janë shënuar 70 aplikime për azil nga fëmijët e pashoqëruar nga Shqipëria, nga 75 aplikime të regjistruara në vitin 2020 dhe 160 aplikime në vitin 2019. Kosova regjistroi 20 aplikime nga fëmijët e pashoqëruar për vitin 2021. Për vitin 2021, Maqedonia e Veriut kishte 5 aplikime, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kishin asnjë aplikim nga fëmijët e pashoqëruar.

Belgjika ishte shteti më i preferuar për aplikimet e të miturve shqiptarë, me 25 të tilla, të ndjekura nga Suedia, Greqia dhe Gjermania me nga 10 secila. Deri në vitin 2019 kryesonin Gjermania dhe Franca. Austria përbënte 24% të të gjithë aplikantëve për azil që konsiderohen të mitur të pashoqëruar në BE. Ajo u pasua nga Gjermania, Bullgaria (të dyja 14%), Greqia (10%), Belgjika dhe Rumania (të dyja nga 8%). Numri total i fëmijëve nën moshën 18 vjeç nga Shqipëria që kanë aplikuar deri më tani për azil në vendet e BE-së dhe në Zvicër ka arritur shifrën mbi dy mijë, duke përbërë 12% të totalit nga shtetet evropiane (jo anëtarë të BE-së). Në vend të parë janë Turqia (24% të aplikimeve totale nga Evropa) dhe Rusia (23%). Të dy këto shtete (Turqi dhe Rusi) kanë një popullsi shumë më të lartë se Shqipëria, duke bërë që ky vend të jetë rekord për aplikimet për azil të fëmijëve në raport me popullsinë. Në vend të katërt është Moldavia me 10% dhe më pas renditet Serbia me 8%.

Aplikimet e fëmijëve shqiptarë për azil në 2020-n zinin 34.3% të totalit, sipas të dhënave të Eurostatit. Fenomeni i braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian është kthyer në shqetësim edhe për autoritetet në Shqipëri nga përmasat në rritje që po merr, nga prindër që ikin familjarisht dhe kthehen vetëm. Braktisja e fëmijëve nën moshën 16 vjeç përbën vepër penale në Shqipëri dhe dënohet me gjobë deri në 3 vjet burgim. Për vitin 2019, në Shqipëri janë 41 prindër që janë përballur me drejtësinë për “braktisje të fëmijëve të mitur", nga 27 që kanë qenë në vitin 2018. Por kjo shifër e referimeve në prokurori, në fakt, mund të mos tregojë realitetin e fëmijëve të braktisur. Numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, për vetë përfitimet që ata marrin nëse gjenden në vendet e BE-së si të mitur të braktisur nga prindërit, ku shtetet më të “preferuara” mbeten Italia dhe Franca.