Arbëri

Kosova e çikave

Dy të artat e sivjetme të Distria Krasniqit e Nora Gjakovës nga “Tokio 2020” vetëm sa ia kanë shtuar shkëlqimin së artës së Majlinda Kelmendit nga “Rio 2016”. Megjithëse e mbylli karrierën pas disfatës në Japoni, ndikimi i Mbretëreshës së sportit të Kosovës vlerësohet vendimtar për “trendin legjendar” të xhudos. Po sivjet, regjisoret, skenaristet e artistet nga Kosova mahnitën me sukseset e tyre në kinematografinë ndërkombëtare. Bashkë me yjet, si Dua Lipa e Rita Ora, po e fuqizojnë imazhin e Kosovës së “evropianëve të rinj”, të izoluarve të fundit të Evropës

Djersa e derdhur në palestrën e vogël të kryemjeshtrit Driton Kuka u është shpaguar nxënëseve të tij. Lagjja “Asllan Çeshme” e Pejës tashmë ka nxjerrë tri kampione olimpike në xhudo. Suksesi më nuk është vetëm i tyre. Të gjithë shqiptarët tashmë krenohen me medaljet e shumta të kampionëve evropianë, botërorë e olimpikë të këtyre sportisteve.

Një lagje, tri kampione olimpike

Majlinda Kelmendi, e cila i dha fund karrierës në Lojërat Olimpike të Tokios, ku nuk ia doli të kurorëzohej me medalje, i ka treguar javë më parë kolegut Arsim Maxhera për regjimin që vazhdimisht po u sjell suksese vashave pejane.

“Vendosmëria, disiplina dhe puna e madhe është çelësi i suksesit tonë”, ka thënë Majlinda Kelmendi para nisjes për në Japoni, ku nuk ia doli ta përsëriste suksesin e Lojërave Olimpike të 2016-s në Rio në Brazil. “Për shumë njerëz në botë, është e pakapshme qysh një shtet i vogël sikur Kosova me pasë kaq shumë suksese në xhduo, mirëpo ku vijnë me ushtru me neve, kur e shohin sa shumë punojmë, atëherë e kuptojnë prej nga vjen ai sukses”.

Sukseset e Majlindës në dekadën e fundit u kthyen në frymëzim për shumë të rinj e të reja. Në Tokio, medalje të arta fituan Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Pavarësisht sfidave të shumta e mungesës së mbështetjes institucionale për talentet e reja në Kosovë, pakkush besoi se ëndrrat mund të realizoheshin në një shoqëri që nuk po arrin dot ta mbyllë transicionin.

Lirika Agusholli vjen nga lagjja e tri kampioneve olimpike. E njeh mirë rrethin, edhe pse ka studiuar shkencat politike e marrëdhëniet ndërkombëtare në Turqi.

“Është krenari shumë e madhe për të gjithë qytetin pasi prej një lagjeje shumë të vogël, dhe që të tria, ndoshta kanë ushtruar në kushte të vështira, tashmë janë në gjendje të garojnë me një shtet që ndoshta fuqi botërore, siç është Japonia, dhe të fitojnë medalje atje është krenari”, thekson Agusholli, pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Trendi legjendar i çikave të Kosovës

Majlinda po kthehej në shembull për aktivistet e të drejtave të grave, që kërkojnë barazi gjinore.

Luljeta Demolli, nga organizata Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se ndikimi i Majlindës ishte i madh te vajzat edhe jashtë sportit.

“Suksesi i Majlindës (në Rio 2016, v.j.) ka qenë gëzim shumë i madh, ka qenë i pari dhe ka avancu gratë në sporte”, thekson Demolli. “Ka modeluar edhe Norën dhe Distrian, por prapë ka qenë një sukses individual, por suksesi i tanishëm i Norës dhe Distrias na tregon për një trend të jashtëzakonshëm, një trend të mrekullueshëm që po u ndodh çikave të Kosovës”.

Edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos, e cila ka njohur tashmë shkollën kosovare të xhudos, ka pranuar “trendin legjendar”.

“Vazhdon trendi legjendar për ekipin e grave kosovare me Norën që fiton medaljen e tretë për Kosovën në Lojëra Olimpike – të tria në xhudo”, ka shkruar uebfaqja zyrtare e IJF-së në Facebook sipër fotografisë së Norës të mbështjellë me flamur.

Djemtë “të privilegjuar”, vajzat “kujdestare”

Demolli thotë se sukseset e Norës po i thyejnë paragjykimet gjinore, duke i motivuar “çikat e Kosovës” për suksese në të gjitha fushat.

Sportet luftarake historikisht janë dominuar nga meshkujt në Kosovë. Por kampionet evropiane e botërore nga qyteti perëndimor i Kosovës po e ndryshonin këtë mendësi dhe qasjen e prindërve për orientimin dhe mbështetjen e fëmijëve.

“Rolet dhe identitetet gjinore janë prej të parave që familja dhe shoqëria tentojnë me i ngulitë te fëmijët qysh në fazën e hershme të zhvillimit”, thekson Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA). “Si rezultat i kësaj, pritshmëritë e shoqërisë dallojnë shumë, varësisht prej gjinisë që e ka fëmija. Pra, përderisa për djemtë pritet të orientohen nga profesione që sjellin më shumë pushtet, para, status dhe privilegj, te vajzat pritshmëritë janë shumë më të ulëta. Pra pritet me i përmbushë disa pritshmëri që lidhen me kujdesin, ndjeshmërinë ndaj familjes e rrethit, e që lidhen me profesione si mjeke, mësuese, apo punëtore sociale”.

Kosova e vogël, e madhe në xhudo

Image

Suksesi në Lojërat Olimpike të Rios më 2016 nuk e përloti vetëm Majlindën në piedestalin e sportit. Shoqet e skuadrës “Ippon” të Toni Kukës po përfitonin në ushtrime edhe prej përvojës së saj.

Distria Krasniqi shkoi në Olimpiadën e sivjetme si bartëse e kategorisë 48 kilogramë. Pritjet i kishte të mëdha. Dhe ia doli t’ia ngrinte Kosovës flamurin si kampione olimpike.

Agjencia amerikane e lajmeve, AP, shkruante se si Krasniqi ndoqi hapat e Majlinda Kelmendit.

Dy ditë më vonë, edhe Nora Gjakova do të ngjitej në podium me shkëlqimin e së artës në gjoks. Kosova e vogël, e madhe po dëshmohej në xhudo. Tri medaljet e para, madje të arta, Kosovës ia sollën tri vajza. Politikanët menjëherë dolën me postime për të manifestuar krenarinë e vendit, por sa kanë të drejtë të krenohen me to duke e ditur mungesën e mbështetjes për të rinjtë e Kosovës, të izoluarit e fundit të Evropës?

“Po fatkeqësisht, rastet e mbështetjes së vajzave, apo le të themi, edhe më shumë që e kanë marrë prej qytetarëve të Kosovës dhe prej të gjithëve, kanë ardhur kur ato tashmë e kanë fituar një famë, qoftë kur kanë fituar çmime, qoftë janë bërë shumë të famshme”, thekson Molliqaj. “Ato nuk kanë ardhur në periudhën kur ato ishin duke sfiduar saktësisht normën dhe traditën në familje dhe në shoqëri. Por kur e kanë parë se është bërë e famshme dhe e suksesshme, ka qenë edhe më e lehtë me përkrahë”.

Vajzat shqiptare që janë lindur ose rritur jashtë Kosovës e kanë pasur paksa më të lehtë që të jenë të suksesshme, sidomos këngëtaret si Rita Ora e Dua Lipa, në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, edhe ato vazhdojnë të jenë të lidhura me Kosovën. Në shumicën e intervistave spikasin diçka të veçantë për të dëshmuar lidhjen e nyjshme me vendlindjen e prindërve. Ngjashëm bëjnë edhe artistet e tjera.

“Ato e kanë promovuar shtetin e Kosovës në shumë fusha. Sidomos Rita Ora dhe Dua Lipa, ndoshta edhe me postimet e tyre në rrjetet sociale, kanë qenë shumë të fuqishme në promovimin e shtetit të Kosovës”, thekson Agusholli.

Dua Lipa ka postuar në llogarinë e saj në Instagram fotografinë e Nora Gjakovës pas fitores në finale, derisa gishtin tregues të dorës së djathtë e drejton kah flamuri i Kosovës në gjoks. “Edhe një tjetër medalje e artë për Kosovën!! Bravo Nora Gjakova”, ka shkruar poshtë fotografisë Lipa, duke e shoqëruar me flamurin e Kosovës dhe me një zemër.

Viti i artë edhe për artistet

Vajzat, të lindura e të rritura në Kosovë, kanë nisur të depërtojnë fuqishëm në kinematografinë ndërkombëtare. “Zgjoi” i Blerta Bashollit, rrugëtimin e nisi në shkurtin e sivjetmë si fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival”.

Filmat “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës ia kanë dalë mbanë që të jenë pjesë e njërit prej festivaleve më të mëdha në Evropë, Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Ndërkaq filmi i metrazhit të gjatë debutues “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit do ta ketë premierën këtë shtator në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, “Venice Film Festival”.

Filmi është në konkurrencë zyrtare në programin Orizzonti, ku presidente e jurisë është regjisorja boshnjake Jasmila Zbaniq, teksa në garë përfshihen çmimet për Filmin më të mirë, Regjinë më të mire, Çmimin special të jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë, dhe për skenarin më të mirë.

Kultura dhe sporti konsiderohen mjete të fuqishme të diplomacisë publike të shteteve për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar.

Arsim pa zbulim talentesh

Në fakt, zbulimi i talenteve dhe zhvillimi i tyre do të duhej të nisnin qysh në shkollë fillore për të vazhduar pastaj me programe të veçanta të mbështetura nga niveli qendror i qeverisjes e federatat sportive të Kosovës.

“Padrejtësia në sistemin tonë arsimor ka për pikënisje mungesën e cilësisë, që për shumë të rinj e të reja, na kthen në vite e mundësi të humbura për karrierë”, thekson Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard. Ai thotë se shumë talente “digjen” për shkak se shkolla nuk ia del t’i identifikojë dhe t’i mbështetë për suksese të mëdha individuale e shoqërore.

Prindërit e Norës, Luan e Elvana Gjakova, kanë thënë për KTV-në se medalja olimpike ishte ëndrra më e madhe e së bijës. Të gjitha të tjerat, tashmë i kishte fituar.

“Po jam shumë e gëzuar, emocionet kanë qenë shumë të mëdha. I është realizuar ëndrra, të gjithë jemi të gëzuar dhe kemi pritur që një ditë ka me ardhë edhe kjo ditë”, ka thënë Elvana Gjakova gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë të kolegut Shaban Maxharraj. “I është shpërblyer mundi i saj, i ka munguar edhe kjo medalje, edhe këtë medalje e mori”.

Ndërkaq babai Luan Gjakova, profesor i edukatës fizike, ka falënderuar trajnerin Driton Kuka për përkushtimin e madh që po rezulton me suksese të njëpasnjëshme të nxënëseve të tij.

“Duhet me falënderu patjetër trajnerin e tyre, Driton Kuka, i cili me mund ka arritur që të gjithë fëmijët tanë, së pari Majlinda ka arritur të artën në Rio më 2016, madje para dy dite Distria, tash edhe Nora, kjo vërtet tregon se Driton Kuka si trajner ka qenë i përkushtuar për t’i arritur këto dhe të gjithë sot jemi të gëzuar”, ka thënë ai. “Vërtet nuk dimë ta përshkruajmë me fjalë”.

“Mbretëresha e Kosovës”

Luljeta Demolli thotë se sukseset e xhudisteve do të ndryshojnë edhe mendësinë dhe qasjen e prindërve kundrejt vajzave të tyre.

“Po shpresojmë shumë se këto vajzat kur të kthehen kanë me u ba ambasadore të thyerjes së këtyre paragjykimeve dhe ambasadore të thyerjes së kësaj mendësi, e cila për një kohë të gjatë, vajzat, çikat e Kosovës, nuk i ka lanë me ecë përpara”, thekson Demolli, duke treguar se vetëm 13.5 për qind e grave janë pjesë e tregut të punës në Kosovë.

Demolli ngulmon se Majlinda, edhe pas përfundimit të karrierës, do të mbetet model për shumë të reja që synojnë majat e suksesit, sepse “e parëlemja e Kosovës”, sikur se iu referua poetja Vlora Konushevci, përloti gëzueshëm disa herë shqiptarët me sukseset e saj, pavarësisht rrethanave të vështira. Megjithatë jetësoi ëndrrën. Komiteti Olimpik tashmë e konsideron mbretëreshë të sportit.

E të artat e Distrie Krasniqit dhe Nora Gjakovës, dëshmi e zgjerimit të kësaj mbretërie. Të dominuar nga çikat.