Arbëri

Kosova drejt NATO-s

FSK

Foto: Driton Paçarada

Edhe pse Asambleja vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, ngritja e nivelit të përfaqësimit konsiderohet e rëndësishme për lobim dhe rritje të përkrahjes në mënyrë që Kosova ta arrijë anëtarësimin në aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë

Kosova mori mbështetje të fuqishme këtë muaj në kërkesën e saj për avancimin e statusit në Aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë. Nga 27 maji, Kuvendi i Kosovës u bë anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. 

Edhe pse Asambleja vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, ngritja e nivelit të përfaqësimit u konsiderua e rëndësishme në proceset e tjera integruese. 

Asambleja është forum i deputetëve të 32 vendeve anëtare dhe shteteve të tjera partnere të NATO-s. 

Zhvillimet rreth Aleancës, Asambleja Parlamentare i përçon edhe tek vendet anëtare të NATO-s, ku Kosova do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë.

Efekti i Asamblesë Parlamentare  

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për rëndësinë që ka avancimi i statusit të Kosovës në Asamble në shtimin e lobimit për arritjen e qëllimit final. 

“Para së gjithash, prezenca e kuvendarëve tanë në Asamblenë e NATO-s do të ndikojë dhe ndihmojë që përmes koordinimeve që do t’i kenë atje me parlamentarë të ndryshëm, të lobojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, edhe pse normalisht këto janë dy organizata të ndara. Megjithatë, është një ndërlidhje shumë e afërt mes këtyre dy institucioneve duke pasur parasysh që çdo vendim që merret në lidhje me NATO-n si në aspektin e anëtarësimit të një vendi në NATO, gjithashtu edhe në aktivitetet e përbashkëta të NATO-s me vendet e tjera, parlamentarët, parlamentet e vendeve të NATO-s- janë ata që vendosin në fund për të gjitha këto çështje”, ka thënë Maqedonci. 

E përfaqësues organizatash të shoqërisë civile që fushëveprim kanë marrëdhëniet mes NATO-s e Kosovës kanë përmendur përfitimet që mund t’i ketë Kosova pas avancimit të statusit në Asamble. 

“Janë disa benefite që janë pothuajse të barabarta me shtetet anëtare, me përjashtim të faktit që Kosova edhe më tutje nuk ka të drejtë vote në Asamblenë Parlamentare. Përndryshe ka mundësi me qenë në raste të caktuara pjesë e komisioneve të krijuara nga Asambleja e NATO-s për çështje të caktuara. Kosova në njëfarë forme është pjesë e proceseve që zhvillohen në kuadër të Asamblesë”, thotë Mentor Vrajolli – drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). 
Sipas tij, mbetet të shihet se sa do të reflektohet në raport me anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, “sepse deri më tani dihet qartë se NATO-ja për shkak të problemeve të atyre shteteve që nuk e njohin Kosovën nuk ka pasur raporte formale me Kosovën”.

Synim, avancimi i raportit me NATO-n

Anëtarësimi në NATO mbetet prioriteti më i rëndësishëm diplomatik dhe i sigurisë, krahas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Por edhe ky proces mund të marrë kohë pasi katër shtete anëtare të Aleancës vazhdojnë të mos ia njohin shtetësinë Kosovës. 

Deri tash ka munguar avancimi i raportit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, më shumë se gjashtë vjet pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse. 

NATO-ja pati kërkuar që transformimi të bëhej me ndryshime kushtetuese. Për shkak të pamundësisë që të bëhen këto ndryshime shkaku i kundërshtimit të Listës Serbe, Kosova i dha start tranzicionit të FSK përmes ndryshimeve ligjore. 

Ndonëse një numër vendesh e konsideronin të drejtë sovrane të Kosovës tranzicionin drejt ushtrisë, rezervat ishin shprehur edhe për shkak të kohës kur u mor vendimi. 

Ai përkoi me fushatën e Serbisë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, veprim që çoi në vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe nga Kosova.

Qëndrimi i NATO-s

Përmes një përgjigjeje me shkrim lidhur me temën, në NATO kanë deklaruar se mbështetja për FSK-në do të vazhdojë sipas mandatit të vjetër, tek kanë përmendur edhe ndalesën që vazhdon të vlejë kur bëhet fjalë për zbarkimin e kësaj force në veri. 

“NATO-ja vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s, në respekt të plotë të mandatit fillestar për emergjenca civile të FSK-së. Ky është qëndrimi ynë dhe ka qenë konsistent gjatë gjithë kohës. FSK-ja mund të vendoset në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Ne mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës lidhur me këtë angazhim”, kanë thënë në aleancën veri-atlantike. 

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pret që qëndrimi i NATO-së në raport me FSK-në të ndryshojë shpejt, tek ka përmendur bashkëpunimin që pothuajse është i ngjashëm që aplikohet me vendet anëtare. 

“Planifikimin e bëjmë sipas standardeve të NATO, pajisjet dhe armatimin e blejmë nga vendet e NATO-s për dallim nga Republika e Serbisë që furnizohet nga vendet e Lindjes, që kryesisht janë Federata Ruse, Kina dhe Irani. Pra, rruga jonë është shumë e qartë drejt integrimit në NATO dhe ne jemi të vendosur në këtë aspekt. Për pranimin e Kosovës në NATO, normalisht ka edhe procese të tjera që janë politike. Dihet edhe hezitimi i vendeve mosnjohëse për të mbështetur procesin e integrimit të Kosovës në NATO”, është shprehur Maqedonci. 

Ai ka shtuar se ka prezencë të NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila mbështet proceset drejt përafrimit në këtë aleancë. 

“Ky grup është ekip ndërlidhës dhe këshillues i NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë, i cili gjatë gjithë kohës është aktiv në përafrimin e Kosovës me NATO-n, në aspektin e ndihmës që japin, në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, standardeve, këshillat që i japin për të ndërtuar forcën tonë”, ka theksuar Maqedonci.  Ndihmë në përshpejtimin e anëtarësimit, Maqedonci i vlerëson marrëveshjet e nënshkruara me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe, që mes tjerash konfirmojnë zotimin në finalizimin e këtij procesi. 

Kosova po ashtu është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, mekanizëm ky i lidhur me objektivat e NATO-s për paqe e stabilitet në Evropë. 

“Jemi pjesë aktive, unë si ministër i Mbrojtjes dhe komandant i FSK-së marrim pjesë në baza të rregullta në takimet e grupit të kontaktit. Si shtet kemi mbështetur Ukrainën ashtu siç bëjnë të gjitha vendet që janë pjesë e këtij koalicioni. Kemi ofruar trajnime për çminim që i kemi realizuar në Republikën e Kosovës. Aktualisht një kontingjent i pjesëtarëve të FSK-së është në Mbretërinë e Bashkuar ku është duke realizuar së bashku me partnerët e tjerë trajnime taktike-luftarake për njësitet e ushtrisë së Ukrainës që trajnohen në Mbretërinë e Bashkuar”, ka deklaruar Maqedonci.  

Kriteret që kërkohen

E Mentor Vrajolli (QKSS) vlerëson se në aspektin e kritereve teknike dhe përgatitjeve, Kosova qëndron më mirë se disa vende që tashmë janë pjesë e Aleancës. Sipas tij, problemi kryesor është ai politik. 

“Siç dihet, kriteret për anëtarësim në NATO janë pjesërisht teknike, pjesërisht politike. Kosova është më e përgatitur që të jetë pjesë e NATO-s sesa që kanë qenë shtetet fqinje që tashmë janë pjesë e NATO-s për faktin se strukturat e Kosovës janë themeluar e trajnuar nga NATO-ja. Vazhdojnë të trajnohen nga NATO-ja dhe në këndvështrimin e doktrinës që ata e aplikojnë Kosova është shumë më e përafërt me NATO-n sesa që janë shtetet fqinje të cilat tashmë janë pjesë e NATO-s”, ka thënë ai.

“Kështu që problemi kryesor pse Kosova nuk është pjesë e NATO-s ka të bëjë me atë politik pasi janë katër shtetet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Ky problem mund të tejkalohet nëse shtetet kryesore të NATO-së do të rrisin presionin për shkak se është interes i përbashkët që kontinenti i Evropës të mos ketë konflikte të tjera dhe lufta në Ukrainë të përmbyllet sa më parë”. 

NATO-ja vazhdon të mbetet prezenca më e besueshme ndërkombëtare në vend, e cila nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët.

Marrëdhënia e Kosovës me këtë aleancë vitet e fundit është dominuar nga menaxhimi i krizës në veri. 
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe pozicionimi i vazhdueshëm i ushtrisë së Serbisë përreth kufirit me Kosovën, bënë që Kosova të trajtohet si çështje e sigurisë evropiane. 
Pas rastit “Banjska”, Forca e NATO-s në Kosovë u përforcua me trupa nga Britania e Madhe, Gjermania e Turqia që shtruan patrullimet në veri vendit. 

Përmes një përgjigjeje me shkrim lidhur me temën në NATO kanë thënë se me gjithë investimin 25-vjeçar vitin e kaluar pati hapa të gabuar. Me këtë i janë referuar dhunës që shpërtheu në veri pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale dhe sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. 
“NATO ka investuar në Kosovë për 25 vjet. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por vitin e kaluar ne kemi parë hapa në drejtimin e gabuar, me tensione të shtuara, dhunë dhe retorikë përçarëse në rajon. Si përgjigje, ne kemi bërë përforcimin më të madh të KFOR-it në një dekadë duke vendosur gati 1.000 trupa shtesë”, ka thënë në NATO. Ata kanë përmendur katërfishimin e pranisë së KFOR-it në veri të Kosovës dhe trefishimin e numrit të patrullimeve përgjatë vijës kufitare administrative. 

“Dënojmë ashpër dhunën e 29 majit dhe 24 shtatorit dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Duhet të shmangen veprimet dhe retorika që mund të përshkallëzojnë më tej situatën”, kanë deklaruar nga NATO-ja.  

Sipas Vrajollit, me anëtarësimin e Kosovës në NATO do të zvogëlohej hapësira e manovrimit të grupeve që kanë tendenca destabilizuese. 

“Përderisa Kosova nuk është pjesë e NATO-s, ata do të mundohen ta eksplorojnë çfarëdo vrime të NATO-s për ta destabilizuar Kosovën. Momentin kur Kosova është pjesë e NATO-s, atëherë ata e kuptojnë se është e pamundshme që të përfitojnë prej tendencave destabilizuese. Pra, në këtë formë do të zvogëlohen tendencat për destabilizim edhe në nivel rajonal”, ka thënë Vrajolli. Tendenca të tilla ai sheh edhe në Bosnjë-Hercegovinë , por që ndryshe prej Kosovës e ka jashtëzakonisht vështirë të marrë vendim për të qenë pjesë e NATO-s. 

“Ndërkaq Kosova është një nga vendet më pro NATO-s në botë. Kësisoj NATO-ja do të përfitonte në çdo formë me Kosovën si pjesë e kësaj aleance, për faktin se vatrat e krizës do të zvogëloheshin në Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar Vrajolli.

Mbështetja nga shtete individuale të NATO-s

Veç kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, prioritet për Qeverinë e Kosovës është forcimi i kapaciteteve vetjake. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare. 

Në mungesë të avancimit të marrëdhënies me NATO-n, mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës mbeten shtete individuale të Aleancës si - ShBA-ja, Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia. 

“Aktualisht gjendemi në fazën e dytë të këtij plani që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të këmbësorisë deri në vitin 2025. Do të kemi në vend tri regjimente të këmbësorisë për të realizuar detyrën parësore të tyre për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. Në këtë aspekt kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre kapaciteteve dhe jemi mbështetur në vazhdimësi nga kryeministri Kurti dhe qeveria si me buxhet shtesë dhe me veprime tjera që kanë ndihmuar në  ngritjen e këtyre kapaciteteve”, ka thënë ministri Maqedonci.  

Analiza të ndryshme ndërkombëtare flasin edhe për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në rajon, tek i referohen luftës Rusi-Ukrainë dhe situatës në Lindjen e Mesme.  

Për t’iu përgjigjur sfidave, në maj të këtij viti rreth 90 mijë trupa të NATO-s zhvilluan stërvitjen e përbashkët. 

NATO-ja nuk e përmendi Rusinë në deklaratën e saj për stërvitjen, por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon atë si kërcënimin më të madh për sigurinë e anëtarëve të Aleancës. Shteti rus nuk i ka ndalur asnjëherë përpjekjet për hapjen e një vatre të re krize në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Në NATO thonë se prezenca e tyre në Kosovë do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme, në funksion të ruajtjes së stabilitetit rajonal.  

“NATO-ja është fuqimisht e përkushtuar për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa nevojitet, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, kanë thënë në NATO. Sipas tyre, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve të hapura.

“KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë së nevojshme që diplomacia të ecë përpara. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, kanë thënë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.  

Më 11 qershor mbushen 25 vjet nga hyrja e Forcës Ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja, pas fushatës 78- ditore të bombardimeve mbi caqet policore e ushtarake serbe. 

Deri më 20 qershor të gjitha forcat serbe ishin tërhequr nga territori i Kosovës. Me gjithë përpjekjen e kohëpaskohshme të Serbisë që ta rikthejë një pjesë të tyre në Kosovë, nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve, kërkesa nuk iu miratua asnjëherë nga NATO-ja.