Gjatë vizitës së tij në Kosovë, sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i është shtruar kërkesa për marrëveshje strategjike në fushën e mbrojtjes. E, pas takimit me udhëheqësit më të lartë shtetërorë, ai ka thënë se shteti që përfaqëson mbështet Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik dhe ka bërë thirrje për “normalizim të qëndrueshëm” të raporteve me Serbinë
Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar marrëveshje strategjike në fushën e mbrojtjes. E ka bërë këtë të mërkurën, gjatë pritjes që i ka bërë në Prishtinë, sekretarit të Jashtëm të këtij shteti, David Lammy.
“Kam bërë propozimin për lidhjen e marrëveshjes për thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe fushën e ekonomisë”, ka thënë presidentja Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin Lammy.
Muaj më parë, presidentja njoftoi për negociatat rreth marrëveshjes për “dialog strategjik” me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, të mërkurën theksoi se negociatat do të zhvillohen edhe me Londrën zyrtare, për avancimin e raporteve në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë.
“Do të vazhdojnë diskutimet në mes të dy ekipeve tona, për ta konkretizuar këtë marrëveshje dhe për ta nënshkruar sa më parë që të jetë e mundur. Ka hapësirë të jashtëzakonshme për fuqizim të mëtejshëm të aleancës sonë dhe prezencë edhe akoma më aktive të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe anasjelltas”, ka thënë presidentja Osmani. “Diskutuan edhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dy vendet anëtare të NATO-s, përcaktuese për vendimin që ushtarakisht të ndërhyhej ndaj caqeve të Serbisë, me qëllimin për t’i ndalur mizoritë e këtij shteti ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ish-kryeministri britanik, laburisti Tony Blair, ka qenë ndër më insistuesit për këtë ndërhyrje.
Sekretari Lammy – i cili në këtë vizitë është shoqëruar edhe nga e dërguara e posaçme për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce – është laburist dhe vlerësoi në Prishtinë si arritje prej më të mëdhave ndërhyrjen në më shumë se dy dekada më parë.
Gjatë vizitës, ai ka kërkuar angazhim në dialogun me Serbinë dhe adresim të nevojave të qytetarëve, në veçanti të serbëve.
“Duam normalizim të qëndrueshëm, paqësor mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është padyshim kontribuues i madh në KFOR. Është plotësisht qenësore për sigurinë e juaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë të gjitha nevojat e qytetarëve, përfshirë edhe duke bërë progres në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhim të fuqishëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë sekretari Lammy në konferencën e përbashkët për media me presidenten Osmani.
E presidentja ka thënë ta ketë përsëritur edhe një herë faktin që Kosova mbetet palë konstruktive, e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht, sipas saj, përballet me obstruksione dhe provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët e dhe vazhdojnë edhe tani.
“Dua ta përmend sërish se është e domosdoshme që të ketë llogaridhënie dhe vënie të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, por që fatkeqësisht po e shohim që nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, as sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023, as sa i përket sulmit ndaj 93 ushtarëve të NATO-s që ka ndodhur edhe më herët, por as pas veprimeve të fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit”, ka thënë presidentja Osmani.
Sulmi terrorist në Banjskë është potencuar edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në takimin që në orët e vona të së martës ka realizuar me sekretarin Lammy.
“Kryeministri Kurti diskutoi edhe rreth situatës aktuale në rajon dhe asaj gjeopolitike në Evropë, si dhe çështjet e sigurisë. Kryeministri Kurti theksoi faktin që ende nuk ka drejtësi dhe llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, teksa Millan Radoiçiq endet i lirë dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror serb. Shtoi se ai duhet të ekstradohet në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim të drejtë për veprat e tij”, thuhet në njoftimin që Qeveria e ka lëshuar të mërkurën për këtë takim.
Në këtë takim, kryeministri e ka vlerësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet që i ka cilësuar të fuqishme të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, dhe ka veçuar edhe atë mes FSK-së dhe institucioneve britanike të mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri Kurti e ka njoftuar Lammyn edhe me progresin në Kosovë, e posaçërisht për investimet në fushën e mbrojtjes dhe arritjen e nivelit të buxhetit për mbrojtje në 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, si standard i NATO-s, si dhe ka theksuar objektivat e synimet parësore të Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe në Këshillin e Evropës.
E, sekretari britanik ka thënë të jetë “e rëndësishme që ta shohim Kosovën duke shënuar progres në rrugëtimin e saj euroatlantik” dhe ka shprehur mbështetjen e shtetit që përfaqëson për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vlerësuar vizitën e Lammyt në Kosovë, duke thënë se ajo “thekson angazhimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe avancimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.
Homologia kosovare e Lammyt, Donika Gërvalla-Schwarz, e ka informuar atë për, siç është thënë në një komunikatë të MPJD-së, “sfidat e sigurisë në Ballkan, përfshirë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin rajonal”.
Në njoftimin e MPJD-së është shprehur qëndrimi se “partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet, me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare”.
I pranishëm në takimin e Lammyt me kabinetin qeverisës të Kosovës mori pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe Britanisë është e kamotshme dhe e fortë.
E, sekretari Lammy ka thënë se mirëpret edhe atë që e ka quajtur progres pozitiv i arritur në procesin zgjedhor të 9 shkurtit, dhe ka shfaqur shpresën se së shpejti do të formohet edhe qeveria e re “që është esenciale në këto kohë sfiduese”.
Ai ka takuar edhe përfaqësuesit e partive politike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, në njoftimin për këtë takim, ka thënë se vizita konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, “veçanërisht në këtë kohë kur kujtojmë të kaluarën dhe miqtë që qëndruan pranë nesh në luftën tonë për çlirim”.
Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar ka luajtur gjithmonë një rol të drejtpërdrejtë në proceset kyçe për Kosovën dhe ka shfaqur dëshirën që ta vazhdojë këtë angazhim.
Memli ka folur edhe për gatishmërinë që partia të cilën e drejton e që u rangua e dyta në zgjedhje, ta marrë timonin e Qeverisë.
“Sekretarin Lammy e informova për vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për të marrë përgjegjësinë në formimin e Qeverisë së re, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, me objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe avancimin e integrimit euroatlantik”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka takuar edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike, dhe në fotografitë e publikuara nuk është parë kryetari Lumir Abdixhiku.
“Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së karshi këtyre çështjeve… Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson dhe falënderon Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme në proceset e shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin për takim, që ka publikuar nënkryetarja e kësaj partie, Doarsa Kica Xhelili.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në të gjitha etapat e saj. Sipas tij, kjo vizitë e nivelit të lartë rikonfirmon këtë përkrahje, në një kohë kur si Kosova, ashtu edhe bota, po përballen me sfida të mëdha.
“Më gëzon fakti që po vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej këtë miqësi të ndërtuar ndër vite, në të gjitha nivelet. Vetëm dhjetë ditë më parë qëndrova në Londër, ku pata rastin të zhvilloj takime përmbajtjesore me zyrtarë të Zyrës së Jashtme, të Commonëealth-it dhe të Zhvillimit. Mbretëria e Bashkuar ka dhënë shumë për Kosovën dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për këtë”, ka thënë Haradinaj, në njoftimin për takimin me sekretarin Lammy.
Sekretari i Jashtëm britanik, pas qëndrimit në Kosovë, pritet ta vizitojë edhe Serbinë, ku është paraparë, sipas Qeverisë britanike, nënshkrimi i një marrëveshjeje të re bashkëpunimi për luftimin e bandave në qendër të krizës me imigracionin ilegal dhe për sigurimin e kufijve të Mbretërisë së Bashkuar.
Londra zyrtare do të jetë mikpritëse e një takimi të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, në Londër, në vjeshtën e sivjetme, i cili, ndër tjerash, ka për qëllim të mbështesë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit.