Arbëri

Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt me traktat për mbrojtje të ndërsjellë

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani dhe presidenti i SHqiperise, Bajram Begaj

Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, pritet ta kenë së shpejti Kosova dhe Shqipëria.

Kjo ka qenë njëra ndër temat e diskutuara mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Osmani këtë të hënë shpalosi edhe një sërë pritshmërisë që i ka Kosova karshi Shqipërisë.

Ajo kërkoi që Shqipëria ta mbështesë Kosovën edhe në proceset e tjera integruese, derisa bëri të ditur se deri në fund të këtij viti Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian.

“Llogarisim në mbështetjen tuaj, përderisa Kosova ecë në po të njëjtit hapa në proceset integruese. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të pa rezervë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat, ndërkohë keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar. Gjatë udhëheqjes suaj, llogarisim në ju, llogarisim që Shqipëria edhe më tej të jetë zëri ynë aty ku i jepet mundësia”, tha Osmani.

Shqipëria i ka dhënë mbështetje Kosovës në shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit.

Presidenti Begaj ka thënë se Shqipëria është pro anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe në çështjen e dialogut me Serbinë, për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si gjithë qytetarët e tjerë të rajonit për të cilën unë e sigurova presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv sa më shpejtë të jetë e mundur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mbështetshim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtar dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte vendim i duhur. E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj në promovimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pa kthyeshmërinë e këtij fakti, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euroatlantik”, tha Begaj.

Osmani në konferencë ka folur edhe për debatin që është ngritur kohëve të fundit lidhur me udhëzimin administrativë për bartjen e shamisë.

Ka thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë orientim parësor i institucioneve për çdo çështje.

“Kjo Kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fondamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues, ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Kosovës të respektohet ky parim”, tha Osmani.

Në vizitën e tij të parë si president i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar takime ndaras edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Ndërsa, pasdite ka bënë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe në varrezat e familjes Jashari.