Arbëri

Kosova 140 mijë banorë më pak se më 2011

Kosova pritet të ketë numër të popullsisë të përafërt me vitin 1981, e më të vogël se në vitet ‘90 dhe regjistrimi i vitit 2011. Sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati, Kosova nga regjistrimi i fundit pritet të ketë 1.6 milionë banorë, apo 140 mijë më pak se 13 vjet më parë. Rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë pritet të shpallen në muajin korrik të këtij viti

Brenda 13 vjetëve të fundit numri i banorëve të Kosovës është tkurrur për afro 140 mijë. Sipas Raportit të Regjistrimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova pritet të ketë 1 milion e 600 mijë banorë, ndryshe nga 1 milion e 740 mijë sa ishin regjistruar më 2011. 

Në konferencën përmbyllëse të procesit të regjistrimit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka theksuar se 600.000 qytetarë janë regjistruar nga diaspora. 

“Pritjet janë që Kosova të ketë rreth 1.6milionë banorë, sipas statistikave të ASK-së, rezultatet pritet të shpallen në muajin korrik dhe se 600.000 qytetarë janë regjistruar nga diaspora. Kemi kursyer rreth gjysmë milioni euro për ndërtimin e sistemit nga ASK. Gjithashtu janë kursyer rreth gjysmë milioni euro në hartografinë”, ka thënë Kastrati.

Ai ka folur edhe për procesin, duke thënë se janë kursyer mbi gjysmë milioni për ndërtimin e sistemit të ASK-së.

“Kostoja e përafërt për hartografinë ka qenë, po ashtu, gjysmë milioni euro”, ka thënë ai.
Sipas Kastratit, sfidë e regjistruesve ka qenë interesimi i ulët i komunitetit serb për të marrë pjesë në këtë regjistrim.

“Ne ua kemi bërë të ditur të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, që periudha e regjistrimit do të jetë nga kjo datë deri në këtë datë, në disa zona të komunitetit serb nga aspekti politik ka bërë një lloj presioni dhe në shumë zona serbe kemi marrë regjistrues, i kremi trajnuar dhe kanë dalë në terren dhe tek javët e fundit komuniteti serb, pjesëmarrja e komunitetit serb ka qenë shumë e ulët, për dallim nga komunitetet e tjera”, ka thënë ai. 

Kastrati ka njoftuar se në të gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5100 persona. 

Regjistrimi i Popullsisë ka filluar më 5 prill dhe ka përfunduar më 24maj. Rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë pritet të shpallen në muajin korrik, derisa ato përfundimtare pas 6 muajsh. Pjesëmarrja në regjistrim është ligjërisht e obligueshme. Në rast refuzimi mund të shqiptohet gjobë në shumën nga 30 euro deri në 2000 euro për person.

Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë. Atë vit ishin regjistruar 1.739.825 banorë, prej tyre meshkuj 875,900, ndërsa femra 863.925. 

Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, 92.93 për qind e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë, ndërsa të tjerët u takojnë komuniteteve të tjera. Sipas të dhënave zyrtare, 61% e popullsisë jetojnë në zonat rurale, ndërsa 35% janë ekonomikisht joaktiv. 

Trendi më i madh i rritjes së popullsisë është regjistruar gjatë viteve ‘70 e ‘80 të shekullit të kaluar. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981 Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh, e cila kishte pësuar rritje duke mbërritur në afro 2 milionë dhjetë vjet me vonë. Në regjistrimin e vitit 1991, të bojkotuar nga shqiptarët, është vlerësuar që në Kosovë jetojnë 1.956.196 banorë. 

Gjatë viteve ‘90, për shkak të represionit nga regjimi serb, papunësisë dhe kushteve të rënda të jetesës ka pasur migrim të madh të popullsisë shqiptare, e që ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës më 1999. Faktor në rënien e numrit të popullsisë në 20 vjetët e fundit është edhe rënia e natalitetit. Tregues për këtë është edhe e dhëna zyrtare sipas së cilës brenda 10 vjetëve të fundit në Kosovë numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka rënë për afro 30 për qind. (Përgatiti Donisa Fazliu