Pas raportimeve në mediat ndërkombëtare se NATO po përgatit “korridore tokësore” të shumta për t’i dërguar trupat amerikane në vijat e para të frontit në rast të një lufte të madhe evropiane me Rusinë, njohës të sigurisë thonë se edhe Kosova duhet të jetë e gatshme për t’iu bashkuar Perëndimit në këtë front
Paralajmërimet për hapjen e korridoreve në një ballafaqim të mundshëm mes Perëndimit dhe Rusisë, gati tre vjet pas nisjes së agresionit mbi Ukrainën, do të implikonte vënien në shfrytëzim edhe të kapaciteteve të Kosovës, thonë njohës të sigurisë.
Mediumi britanik “The Telegraph” raportoi së fundi se NATO po përgatit “korridore tokësore” të shumta për t’i dërguar trupat amerikane në vijat e para të frontit në rast të një lufte të madhe evropiane me Rusinë. Ushtarët amerikanë do të zbarkonin në pesë porte, përfshirë një në Ballkan.
Njohës të zhvillimeve thonë se Ballkani e Kosova nuk bëjnë përjashtim kur vjen puna te rreziku që të shndërrohen në vatra konflikti.
“Kosova çdo herë ka qenë bazë e trupave paqësore, që nga paslufta edhe gjatë kohës luftës me vendosjen e bazës amerikan Bondstel por edhe në kuadër të KFOR-it. Rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga konflikti, gjegjësisht sulmi i Rusisë në Ukrainë bënë që jo vetëm rrethi i ngushtë mes dy shteteve ndërluftuese dhe agresioni rus në Ukrainë por edhe pjesa e Ballkanit këtë rast përfshirë Kosovën janë të rrezikuara. Kësisoj është plani amerikan për mbështetje Evropës që ta zgjojë nga letargjia Evropën e cila çdo herë pret nga ShBA dhe NATO për mbrojtje”, ka thënë Nuredin Ibishi.
E Bedri Elezi thotë se këto paralajmërime bazohen në raportet inteligjente të shteteve anëtare të NATO-s dhe SHBA-së.
“Kështu që janë sinjal i qartë për rrezikun që e pret Ballkanin Evropën në përgjithësi. Gadishulli Ballkanik është një vend interesant për këto portat mbrojtëse dhe Kosova në këtë rast është mjaft e dobishme për aleancën veriatlantike, po ashtu këtu është e instaluar baza amerikane Bondsteel që ka kapacitetet e saj profesionale që më pas mund të përdoren për llogari të planeve operative të NATO-së”, ka thënë Elezi.
Në pesë vjetët e fundit, Komanda e Përbashkët e Mbështetjes e NATO-s ka shqyrtuar mundësi për rrugë të ndryshme që mund të përdoren për t’i dërguar trupat në rast konflikti me Rusinë. Siç raportoi mediumi britanik, në këto korridore, ushtritë kombëtare nuk do të ndalohen nga rregullat lokale dhe do të jenë të lira për të transportuar ngarkesa pa kufizime normale.
“Ky është një paralajmërim i hershëm i zgjerimit të konfliktit dhe Kosova do ta luajë rolin e vet siç ka bërë deri tash, jo vetëm në ofrimin e kapaciteteve të veta, por edhe aspekte tjera. Duhet pasur parasysh që të vetmet vende të Ballkanit që nuk janë pjesë e NATO-së janë Kosova, Bosnja dhe Hercegovina e Serbia. Mendoj se Kosova ka mundësi të shumta, e në veçanti Shqipëria, që të mbështesë forcat e NATO-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pengimin e zgjerimit të konfliktit në këtë pjesë të Evropës”, ka potencuar Ibishi.
E sipas Elezit, Kosova në këtë rast mund të përfitojë shumë dhe kjo për dy arsye.
“E para, se është shtet aleat për të ndihmuar në sigurinë e BE-së e SHBA-së. Kosova është një vend i rëndësishëm pasi ka një vijë të gjatë kufitare me Serbinë, që është satelit i Rusisë dhe Serbia mund të përdoret për aktivitete të dhunshme ndaj shteteve në rajon. Prandaj Kosova ka të gjitha parakushtet për organizimin e aktiviteteve tokësore në funksion të ruajtjes së sigurisë për Gadishullin Ballkanin dhe Bashkimit Evropian”, ka theksuar Elezi.
Sipas “The Telegraph”, intensifikimi i përgatitjeve vjen mes paralajmërimeve nga liderët më të lartë të aleancës ushtarake se qeveritë perëndimore duhet të përgatiten për një konflikt me Rusinë në dy dekadat e ardhshme.
“Rrugët logjistike janë bërë prioritet parësor që kur liderët e NATO-s u pajtuan në një samit në Lituani vitin e kaluar për t’i përgatitur 300,000 trupa që të viheshin në gjendje gatishmërie të lartë për të mbrojtur aleancën. Sipas planeve, trupat amerikane zbarkojnë në portet holandeze e më pas në trena që i transportojnë përmes Gjermanisë deri në Poloni”, shkruan mediumi britanik. “Në rast të pushtimit rus, trupat amerikane do të zbarkonin në portin e Rotterdamit para se të transportoheshin më tej drejt lindjes. Por, planifikime po bëhen po ashtu për t’i zgjeruar rrugët për në porte të tjera për të siguruar që linja tokësore e komunikimeve të mos ndërpritet nga forcat e Moskës”.
Për t’iu përgjigjur sfidave, NATO-ja në maj të këtij viti realizoi stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë. Rreth 90 mijë trupa të NATO-s u bashkua në stërvitjen e përbashkët ku u përfshinë më shumë se 50 anije, aeroplanmbajtëse, 80 aeroplanë luftarakë, helikopterë, dronë dhe të paktën 1.100 automjete luftarake.
NATO-ja nuk e përmendi Rusinë në deklaratën e saj për stërvitjen, por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë e anëtarëve të NATO-s.
Në fillim të këtij viti, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se anulimi i ndihmës financiare për Ukrainën mund të shpjerë në fitore të shpejtë të Rusisë dhe krizë të re në Ballkanin Perëndimor.
E zyrtarë të tjerë, sikurse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmendën specifikisht Kosovën si epiqendër të një konflikti të mundshëm, duke iu referuar tensioneve me Serbinë.
NATO-ja vitin e kaluar e përforcoi misionin e KFOR-it që tani numëron rreth 4 mijë e 500 pjesëtarë.
Veç kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, prioritet për Qeverinë e Kosovës është forcimi i kapaciteteve vetjake. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.
Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.
Në funksion të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, Qeveria tashmë ka kontraktuar blerjen e raketave anti-tank, Javelin, në vlerë rreth 75 milionë euro.