Arbëri

Koqinaj thotë se optimale do të ishte që Kosova të kishte gjashtë helikopterë

Nehat Koqinaj

Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, ka thënë se zjarret e javëve të fundit kanë mbingarkuar kapacitetet dhe se ekipe të caktuara në lokacione të caktuara është dashur të kudestaronin nga 24 orë në ditë. 

Koqinaj ka thënë se faktori njeri mbizotëron si shkaktar për zjarret. 

“Shpesh ndizen zjarre për të bërë ndoshta ndonjë piknik. Por, mungesa e kujdesit që të shuhet ai zjarr, e shtuar këto edhe kushtet atmosferike, ndonjë erë, bëjnë që zjarret të përhapen shpejt e të dalin nga kontrolli. Faktori njeri mbizotëron në kuptimin e plotë të fjalës. Patjetër arsye tjetër është djegia e amulloreve”, ka thënë Koqinaj në “60 Minuta” të KTV-së. 

Koqinaj tha se përkundër paralajmërimeve nga Ministria  e Bujqësisë për të larguar nga subvencionimi fermerët që djegin amulloret, prapë kjo dukuri ka marrë hov në javët e fundit. 

Por Koqinaj ka shtuar se kushtet atmosferike të dy ditëve të fundit janë përkujdesur që të ketë qetësi absolute. 

Për zjarret në Prevallë, që zgjatën mbi një javë, Koqinaj ka thënë se ekipet e zjarrfikësve nga Prizreni kanë kujdestuar me ditë të tëra. Ai ka treguar se kanë pasur ndihmë edhe nga ekipet e Ferizajt, Gjakovës e Prishtinës e po ashtu nga një kontingjent i FSK-së. Por, Koqinaj ka thënë se ndihma nëpërmjet ajrit nga KFOR-i ka ndihmuar e lehtësuar përmbylljen e operacionit. 

Ai ka thënë se është domosdoshmëri që Kosova të ketë helikopterë, minimumi tre. 

“Tre do të ishte minimumi i të gjitha minimumeve, e gjashtë do të ishte optimale për nevojat imediate”, ka thënë Koqinaj.

Ai ka thënë se zjarret e gushtit në Kosovë ia kanë kujtuar periudhën e rëndë të zjarreve që përjetoi Kosova në vitin 2008 dhe 2012.