Në aktakuzën për krime lufte kundër popullatës civile të ngritur ndaj të pandehurit me inicialet Sllagjan Trajkoviq, me nacionalitet serb, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, thuhet se ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve shqiptarë.
Siç përshkruhet në aktakuzë, në mesditën e 6 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe Trajkoviqi, kanë marrë urdhra duke rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë, e pastaj kanë filluar ofensivën duke sulmuar fshatin, duke djegur shtëpi dhe vrarë civilë.
Në këtë ditë, forcat serbe kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes Ujkani, ku pas vrasjes, trupat e tyre janë djegur bashkë me shtëpitë.
Më tej thuhet se më datë 22 maj të po të njëjtit vit, te varrezat e qytetit të Vushtrrisë, forcat serbe kanë tubuar rreth 20 deri në 40 mijë banorë civilë, i kanë urdhëruar të ulen në tokë e më pas i kanë rrahur me shkopinj të drurit. Më pas shumë prej banorëve civilë ngarkohen në kamionë dhe dërgohen në burgun e Smrekonicës. Në të njëjtën ditë, 72 civilë janë ekzekutuar, ndërsa të dërguarit në burg janë marrë në pyetje, duke i torturuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, e më pas dërgohen në drejtim të Shqipërisë.
Trajkoviqi akuzohet edhe për një rast të dhunimit në rajonin e Vushtrrisë.