Arbëri

Kontratat e mësimdhënësve s’përputhen me orët e planifikimit për mësim gjithëditor

Mësimi tërëditor që Komuna e Prishtinës planifikon ta fillojë nga shtatori, parasheh për nxënësit orar shtatorësh qëndrimi në shkollë. Por kontrata e mësimdhënësve me normë të plotë parasheh 20 orë mësimi në javë, e që i bie mesatarisht 4 orë në ditë. Sipas njohësve të arsimit, kjo situatë do të shkaktojë telashe për ta realizuar mësimin gjithëditor

Komuna e Prishtinës planifikon që nga 1 shtatori në pesë shkolla fillore të nisë së aplikuari mësimi gjithëditor. Në to parashihet që nxënësit të qëndrojnë nga ora 8:00 deri në orën 15:00.

Kur kanë mbetur tre muaj deri në fillim të vitit të ri shkollor, Drejtoria e Arsimit nuk ka publikuar informatën se në cilat institucione arsimore do të organizohet mësimi gjithëditor.

KOHA adresoi në këtë drejtori edhe pyetjen se kush do të qëndrojë me nxënësit për shtatë orë, meqë kontrata e mësimdhënësve me normë të plotë parasheh 20 orë mësimi në javë. Por ka munguar përgjigjja.

Burime të KOHËS thanë se Komuna parasheh të angazhojë staf shtesë.

Deri më tani në uebfaqen e Komunës nuk është shpallur ndonjë konkurs për mësimdhënës. E, bazuar në Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, procesi i rekrutimit merr kohë rreth dy muaj.

Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, procesi mund të përcillet me sfida për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjeve.

“Duhet të ketë edhe vend për konsumim të ushqimit. Pastaj sfida tjetër është edhe norma e mësimdhënësve që zakonisht i mbajnë 20 orë mësimi në javë dhe pastaj nuk kanë obligim të mbajnë orë të tjera me atë kontratë dhe aty sigurisht duhet siguruar edhe mësimdhënës. Sfidë tjetër është edhe çfarë lloj aktivitetesh do zhvillohen pas orëve të rregullta mësimore, pasi ato duhet të jenë kuptimplote që të japin rëndësi, por me siguri me përgatitjet e duhura të gjitha arrihen”, ka thënë Pupovci.

Ai ka theksuar se Komuna mund të mos ketë vend në kornizën buxhetore për punësimin e mësimdhënësve të rinj.

“Çdo komunë me Ligjin e Buxhetit e ka të kufizuar numrin e të punësuarve. Po besoj që komuna e Prishtinës duhet të jetë te limitet. Nuk ma merr mendja që ka hapësirë shumë për rekrutimin e mësimdhënësve të rinj, por eventualisht për zëvendësimin e mësimdhënësve në pensionim apo për zhvendosjen e ndonjë mësimdhënësit që ka tepricë në ndonjë shkollë”, ka theksuar Pupovci.

Një pilotprojekt për mbajtjen e mësimit gjithëditor pati nisur para 7 vjetësh, por u ndërpre për mungesë të kushteve infrastrukturore.