Kontingjenti i dytë me 30 pjesëtarë nga Forcat Tokësore të Shqipërisë, pjesë e Batalionit Komando, i është bashkuar misionit të KFOR-it.
Tridhjetë trupat do të shërbejnë në zonën e Pejës, krah për krah me kolegët e tyre italianë dhe kroatë. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes e vlerësoi këtë si një moment të veçantë.
"Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës", u shpreh Peleshi.