Në 16 dikastere qeveritare, 8 pozita drejtuese mbahen me ushtrues detyre e 29 nëpër agjenci ekzekutive. Në shoqërinë civile kanë thënë se janë të paligjshme vendimet që merren nga zyrtarët, të cilët për më shumë se një vit janë ushtrues detyre. Edhe zyrtarë opozitarë e kanë kritikuar Qeverinë për këtë
Në shoqërinë civile e edhe në opozitë kanë shprehur shqetësim të premten për dhjetëra pozita drejtuese nëpër ministri dhe në agjenci të pavarura, të cilat mbahen jashtëligjshëm me zëvendësues, term ky zyrtar për ushtruesit e detyrës.
Nëpërmjet një reagimi, iniciativa “CorrWatch” ka bërë të ditur se në 16 dikastere qeveritare, tetë pozita mbahen me ushtrues detyre, e 29 në agjenci ekzekutive.
Një ditë më parë është bërë një vit që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Zyrtarët Publikë, në bazë të të cilit, pozita drejtuese mund të mbahet me zëvendësues jo më shumë se një vit. Tejkalimi i këtij afati, sipas iniciativës CorrWatch, përveç që është paligjshmëri në vetvete, e prodhon edhe një pasojë tjetër juridike, që është shpallja e paligjshme e çdo vendimi të marrë.
“Shpallja e paligjshme e vendime të nxjerra nga ushtruesit e detyrës pas afatit 1-vjeçar, marrë parasysh natyrën e vendimeve të nivelit të lartë drejtues, rrezikon dhe cenon rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave, të cilat janë të garantuara me ligj, sidomos në ato institucione, të cilat ofrojnë shërbime publike administrative. Tejkalimi i afatit ligjor për ushtruesit e detyrës është shkelje ligjore, si e mbikëqyrësve të drejtpërdrejtë, ashtu edhe e mbajtësve të pozitave të caktuara si ushtrues detyre”, është thënë në reagimin e CorrWatch, pjesë e së cilës iniciativë janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe INDEP-i.
Shqetësimin për funksionimin e shumë pozitave drejtuese me ushtrues detyre e ka shprehur edhe Besnik Tahiri, i cili është deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Kohëzgjatja e funksionit është e kufizuar me këtë ligj dhe nuk ekziston mundësia me një akt ligjor që të zgjatet mandati. Andaj, rrezikohemi që të gjitha vendimet që nënshkruhen nga ushtrues detyre mund të bien në kundërshtim dhe mund të mos prodhojnë efekt juridik. Unë nuk kam asgjë për emrat e përveçëm, të cilët bartin ushtrues detyre, por kjo praktikë në këtë mandat është duke e shkatërruar shërbimin civil dhe duke i bërë dëm Administratës Shtetërore dhe duke i vënë në pikëpyetje këto nënshkrime”, ka thënë Tahiri, gjatë një konference shtypi të premten.
Krahas shqetësimeve të shprehura, u është bërë thirrje të gjitha institucioneve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore për rekrutimin e personave në pozita të lira në administratën publike.
Sipas iniciativës CorrWatch, vazhdimi i dukurisë së ushtruesve të detyrës, ka degraduar në normë për vite të tëra dhe është praktikë e papranueshme që duhet të marrë fund pa vonesa.