Progres të kufizuar ka shënuar Ministria e Arsimit, sipas vlerësimit të dhënë nga Komisioni Evropian në raportin për Kosovën. Në këtë dokument është thënë se dokumenti udhërrëfyes për përmirësimin e cilësisë në arsim nuk është duke gjetur zbatim të plotë. E, shpenzimet për arsim kanë rënë në krahasim me vitin paraprak
Dokumenti udhërrëfyes për përmirësimin e cilësisë në arsim nuk është duke gjetur zbatim të plotë nga Ministria e Arsimit, ka konstatuar Raporti i Progresit për Kosovën, i publikuar nga Komisioni Evropian.
Në raportin për vitin 2024 është thënë se është arritur një progres i kufizuar në sektorin e arsimit.
“Edhe pse Kosova po bën disa përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit, ka ende pak avancim në zbatimin e strategjisë së arsimit të Kosovës për 2022-2026. Progresi është ende jo i prekshëm për sa i përket performancës së nxënësve pasi ndikimi i hapave të ndërmarrë mund të vërehet vetëm pas një periudhe të gjatë”, thuhet në dokument.
Në raport është thënë se shpenzimet për arsim kanë rënë në krahasim me vitin paraprak, edhe pse buxheti për këtë vit ishte më i lartë.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha në emisionin “60 Minuta” në KTV se raporti është sinjal që shoqëria kosovare dhe organet kompetente të mobilizohen në përmirësimin e cilësisë.
“Për vitin 2022, raporti evidenton se shpenzimet kanë qenë 4.1 për qind e bruto-produktit vendor, tash ato si shumë janë rritur, por sipas raportit ato do të vijnë 3.2 për qind e bruto-produktit vendor për vitin 2023 se kjo gjithmonë llogaritet një vit mbrapa. Do të thotë zvogëlimi i shpenzimeve për arsim nuk është një shenjë e mirë përderisa ne i kemi shkollat e pafurnizuara me materiale mësimore, me pajisje të teknologjisë të informacionit e kështu me radhë”, ka thënë Pupovci.
KOHA ka raportuar para disa muajve se buxheti prej 18 milionë eurosh për digjitalizimin e shkollave nuk është shpenzuar asnjë cent nga Ministria e Arsimit.
Në raport është kritikuar mungesa e inspektorëve të arsimit, ku si rrjedhojë nuk është duke u zhvilluar vlerësimi i mësimdhënësve.
Progres nuk është bërë as në përfshirjen e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, në sistemin arsimor.
Në raport, Ministrisë së Arsimit i është kërkuar që të koordinohet me komunat për t’i përfshirë në shkolla këto kategori.